Balla: PD të njohë zgjedhjet, Shqipëria fitoi në 25 prill

Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, i bëri thirrje opozitës që të heqë dorë nga retorika e mosnjohjes së rezultatit të zgjedhjeve. Në fjalën e tij në Kuvend, Balla i bëri të qartë PD se rezultati është ai që ka dalë nga kutitë e votimit.

”Shqipëria fitoi në 25 prill, kjo falë qytetarëve të këtij vendi që morën pjesë në mënyrë masive dhe me votën e tyre të lirë i dhanë mandatet e përfaqësimit atyre që garuan për të marrë besimin e tyre. Thirrja ime ndaj të gjithë aktorëve pjesëmarrës në zgjedhje është që secili prej nesh të lexojë me përgjegjësi votën e shqiptarëve.

Dua të nënvizoj atë që DASH tha për zgjedhjet, SHBA duan të vazhdojnë partneritetin e ngushtë dhe strategjik me kryeministrin Rama dhe mazhorancën e konfirmuar në këto zgjedhje, vlerësohet fushata e opozitës, rezultati është legjitim. Është detyra e të gjithëve të lëmë pas debatet e vjetra, të punojmë të gjithë në funksion të një objektivi të përbashkët si rruga europiane e Shqipërisë.

Secili prej nesh shpalli fitoren. E njëjta gjë dhe me 26 prill. Kur procesi mbaroi u kthyem te avazi i vjetër që humbësi nuk njeh rezultatin. Duhet të fillojmë në legjislaturën e re një punë më intensive për një reformë më të thellë zgjedhore, këto zgjedhje duhet të jenë të fundit që u administruan nga komisionerë politikë dhe numërues politikë”,-tha Balla.

SHKARKO APP