Balla: Përdorimi i maskave në publik të jetë domosdoshmëri. Pse qeveria ka kërkuar zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme?
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla ka kërkuar sot në Kuvend një tjetër masë për frenimin e përhapjes së koronavirusit, atë të përdorimit të maskave në publik për të gjithë qytetarët.
Në seancën parlamentare, Balla sqaroi edhe pse qeveria ka kërkuar zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme. Për të ilustruar këtë, ai ftoi deputetët që e kundërshtojnë t’i bëjnë një telefonatë deputetit Adriatik Alimadhi i cili vijon ende betejën me koronavirusin.
“Qeveria të konsultohet me ekspertë. Përdorimi i maskave në publik të jetë domosdoshmëri. Nuk është vetëm për t’u mbrojtur. Edhe ai tjetri që se mban mund të kthehet në shpërndarës të armikut dhe të vërë në rrezik ty dhe familjen tënde ndërsa kthehesh në shtëpi.
Pse qeveria i ka kërkuar kuvendit zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme?
Sot janë 29 raste të reja. Z. Gjoni ju thatë që nuk është ndonjë gjë e madhe se kemi 27 jetë të humbura, për mua edhe një jetë e humbur është fatkeqësi. Kur të keni mundësi bëjini një telefon kolegut Adriatik Alimadhi. Pyeteni si është të kalosh COVID-19 dhe pastaj hajde na shisni dëngla këtu. Është një situatë e vështirë, një gjendje e vështirë. Ne iu shprehim ngushëllimet atyre familjeve që kanë humbur të dashurit, lutemi për ata që janë në gjendje të vështirë. Në këtë situatë kaq sfiduese, për qeverinë, për sistemin tonë shëndetësor gjej rastin t’i falënderoj për punën heroike gjatë këtyre javëve, një mirënjohje e ndjerë ndaj shprehjes së ndërgjegjes qytetare në nivele më të larta që kanë bërë mjekët, infermierët dhe pse ndonjëri u mundua të përdorte detyrën që pati misioni i parë në Itali.
Kolegë edhe këto masa të sotme që përfshihen në gjendjen e fatkeqësisë natyrore kanë në fakt mesazhin që jemi ende në një situatë delikat. Rreziku jemi më shumë ne njerëzit se sa virusi. Ne sot jemi rrezik potencial i vetvetes. Sulmi i armikut padyshim që nuk na gjeti në befasi.
Ne kemi kaluar për mrekulli këtë fazë të parë, nuk numërojmë dhjetëra të vdekur në ditë por shohim përditë se si kemi arritur të kemi një kurbë që është më në kontroll se në vendet e Europës. Nuk shohim të na mungojnë shtretërit e spitaleve, nuk kemi të humbur në radhët e bluzave të forta”, deklaroi Balla.