Balla: Policia në gatishmëri për të garantuar paprekshmërinë e perimetrit të sigurisë në plazhe
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla reagoi sot pas bllokimit të 40 mjeteve lundruese gjatë kësaj jave nga Ksamili, në Velipojë nga Policia Kufitare.
“Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare janë në gatishmëri për të garantuar paprekshmërinë e perimetrit të sigurisë në plazhet e gjithë vendit”, u shpreh Balla.
Balla përgëzoi Policinë Kufitare dhe Njësitë Policore detare nga Ksamili deri në Velipojë, për reagimin në kohë ndaj 40 rasteve të konstatuara në 24 orët e fundit dhe dhënien e ndihmës në 12 raste.
“Nxis publikun të denoncojë çdo rast shkelje”, u shpreh Balla.
Policia bën të ditur se, mjetet e bllokuara janë 30 jet ski, 5 skafe dhe 5 gomone.
26 mjete lundruese janë bllokuar nga Ksamili, në Vlorë. 10 mjete lundruese janë bllokuar nga Durrësi në Shëngjin. 4 mjete lundruese janë bllokuar në Velipojë. 13 prej mjeteve lundruese të bllokuara janë konstatuar nga shërbimet e Policisë Kufitare dhe ato të Njësisë Policore Detare, duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë, shkelje e cila rrezikonte jetën e pushuesve.
Drejtuesit e këtyre mjeteve janë ndëshkuar secili me masë administrative 100 000 lekë.
Drejtuesit e 27 mjeteve të tjera lundruese, krahas masës së bllokimit të mjeteve, u ndëshkuan secili me masë administrative 10 000 lekë për mungesë dokumentacioni.
Ndërkohë, Njësia Policore Detare dhe Policia Kufitare përgjatë kësaj jave, iu kanë ardhur në ndihmë turistëve dhe vizitorëve, në 12 raste që kanë kërkuar ndihmë në hapësirën detare nga Ksamili në Velipojë.