Balla pret përfaqësuesen e UNDP-së në Tiranë: Bashkëpunim kundër trafikimit të paligjshëm të armëve
Ministri Taulant Balla priti Përfaqësuesen e Përhershme të UNDP-së në Tiranë, Monica Merino me të cilën diskutoi mbi strategjinë kundër posedimit, keqpërdorimit dhe trafikimit të paligjshëm të armëve të vogla dhe të lehta. Balla tha se problemi i mbledhjes dhe regjistrimit të armëve që mbahen në mënyrë të paligjshme nga shtetasit në Shqipëri, është i njohur prej vitesh, pas krizës së vitit 1997.
“Qeveria e Shqipërisë, në bashkëpunim edhe me institucione të huaja e vende partnere, është e angazhuar tërësisht në adresimin e këtij problemi të mprehtë për rendin dhe sigurinë në vend”, tha ai.
Balla u ndal edhe te ngjarja tragjike e ndodhur sot në bashkinë e Kamzës, ku një shtetas ka vrarë me armë zjarri fqinjin e vet dhe ka plagosur një tjetër. “Armëmbajtja pa leje është gjithmonë burim potencial i krimeve të rënda kundër personit, sikurse sapo ka ndodhur sot një ngjarje e rëndë në Bashkinë Kamëz”,-është shprehur Balla.
Ministri Balla njoftoi gjithashtu se UNDP dhe qeveria e Polonisë po kontribuojnë në mënyrë të ndjeshme për forcimin e shërbimit zjarrfikës në Shqipëri, përmes dhurimit të pajisjeve moderne nga më të ndryshmet.
“Një mbështetje e vlefshme nga UNDP po zbatohet për shërbimet zjarrfikëse në disa bashki, falë financimit të qeverisë së Polonisë, duke u ofruar mbështetje me uniforma zjarrfikëse, 3 makina zjarrfikëse dhe shumë pajisje moderne për shpëtimin”.