Balla: S’ka qeveri teknike, synojmë mbi 84 mandate. Kaosi nga deputetët bëhet për Berishën

Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla ka dënuar ashpër skenarët e kaosit dhe dhunës së Partisë Demokratike në Kuvend, të cilët dogjën edhe karriget. Për të PD-ja është një parti e marrë peng dhe i shërben interesit të familjes Berisha.

”Kjo që keni parë sot nga kjo forcë politike është bërë edhe para 1 viti, ishim në të njëjtën situatë, edhe para 2-3 vitesh po ashtu, në shkurt 2019 u dogjën mandatet, ka pasur ngjarje të tilla në Kuvend, nga e njëjta forcë që mendon se duke përsëritur të njëjtën marrëzi do marrë rezultat ndryshe. Shqiptarët nuk e duan dhunën, madje e kanë dënuar ashpër dhunën sa herë iu është dhënë mundësia me votë. Nëse do kisha mundësi t’iu jepja një këshillë deputetëve të opozitës, do ishte thirrja për të hequr dorë nga kjo qasje, se në demokraci pushteti fitohet përmes votës”, tha Balla në ”Report TV”.

Sa i takon synimit për zgjedhjet parlamentare 2025, drejtuesi politik i PS-së për votën e diasporës thotë se tashmë kërkojë shumicën e cilësuar në Kuvend. ”Qytetarët janë gati ti japin PS një mandat më të fortë se secili prej 3 mandateve të tjera që kanë marrë deri tani. Shqiptarët kanë kuptuar që PS ka nevojë të ketë një shumicë të cilësuar për të çuar para reformat. Mandati i 4 do konsolidojë një fitore të madhe të PS”, tha Balla.

SHKARKO APP