Balla takim me drejtuesit e Policisë së Korçës: 100 banesat e para do t’u jepen familjeve të reja të policëve

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla gjatë takimit që zhvilloi me strukturat drejtuese të Policisë Vendore të Korçës deklaroi se është shumë i rëndësishëm përmirësimi i kushteve të shërbimit të çdo punonjësi policie. Balla u shpreh se shumë shpejt do të trajtohet problemi i banimit për uniformat blu, për ata që shërbejnë në qytete të ndryshme nga qyteti ku kanë familjen, duke nënvizuar se do t’i hapet rrugë aplikimeve për vitin 2023, duke e nisur me 100 banesat e para.

“Do të kujdesem posaçërisht për rritjen e standartit të jetesës të punonjësve të Policisë dhe përmirësimin e kushteve të shërbimit të çdo punonjësi policie, që nga kushtet financiare deri tek kushtet e strehimit kur shërbejnë jashtë vendbanimit apo krijojnë familje të reja. Pa e harruar që nga sot sistemimin përfundimtar të të gjitha familjeve të policëve të vrarë në krye të detyrës, fëmijët e të cilëve janë fëmijët tanë. Ndaj do të trajtojmë problemin e banimit për ata që shërbejnë në qytete të ndryshme nga qyteti ku kanë familjen dhe gjithashtu do të hapim rrugën e aplikimeve për vitin 2023, duke e nisur me 100 banesat e para, të cilat do t’u jepen familjeve të reja të punonjësve të policisë. Kriteret do të bëhen publike në ditët në vijim në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë”, theksoi ministri Balla.

Gjithashtu ministri Balla kërkoi luftë intensive, me fokus krimin e organizuar si u kërkoi forcave të rendit një kujdes të shtuar në komunikimin me qytetarët, duke i konsideruar si partnerin më të fortë të policisë në betejën me paligjshmërinë. Ministri Balla në përfundim të fjalës së tij, duke folur për rëndësinë e Kodit Etik, u shpreh se ai duhet të jetë udhërrëfyes për çdo punonjës policie.

SHKARKO APP