Balliu: Mos hapja e negociatave fitore për Ramën, s’do të arrestohet dhe të humbasë karrigen
Ish-deputeti demokrat, Klevis Balliu është shprehur se Kryeministri Edi Rama nuk dëshiron të hapë negociatat pasi sipas tij nuk do që futet në burg dhe të humbë pushtetin.
I ftuar në studion e lajmeve të Ora Neës, Balliu tha se për Ramën është fitore dhe jo humbje vendimi i vendeve të BE për mosçeljen e negociatave për Shqipërinë.
Demokrati shtoi se në 6 vite kryeministri nuk ka qeverisur dhe se pushtetin po e mban me anë të krimit të organizuar dhe me dhunë.
Klevis Balliu: “Edi Rama nuk i plotëson kushtet e Evropës dhe nuk do që ti plotësojë këto kushte. Sepse sa më afër Evropës të jetë Shqipëria aq më larg është Edi Rama nga ajo karrige dhe aq më afër është drejt burgut. Është normale që nuk i intereson të hapen negociatat por çështja tani është që e kemi në interesin tonë kombëtar dhe ekonomik për Shqipërinë. Pse duan shqiptarët të shkojnë në Evropë?
Sepse e dinë që sa më afër Evropës të jemi ne, atëherë këtu do ketë një shtet ligjor, do të ketë më shumë kontroll edhe për politikanët, edhe për ekzekutivët, për të gjithë. Do ketë një kontroll më të madh drejt tyre. Kemi një qeveri që thotë nuk na duhet Evropa, na e ka fajin Evropa, hajde të merremi me Beogradin, hajde të merremi me Rusinë, kjo nuk mund të ndodhi.
Sot është detyrim kombëtar, në interes kombëtar që qytetarët të merren me largimin e tij. Zaev tha se nëse nuk hapen negociatat kalojmë në zgjedhje të parakohshme. Çfarë tha ky? Jo tha pse do kaloj në zgjedhje të parakohshme. Sepse për atë nuk është humbje, për atë është fitore kjo që nuk na hapen negociatat. Ai mendon se nëse nuk jam në Evropë, nuk do arrestohem dhe do arrij të mbaj pushtetin.
Ky njeri ka 6 vite që nuk qeveris. Do vetëm të mbajë pushtetin që e bën me oligarkë, me krimin e organizuar dhe me dhunë.”