Balliu: PD ka qenë gjithmonë e hapur, s’i ka ikur elektorati. Mërtiri: Ja çfarë pritet të diskutohet nesër në Kryesi
Sociologu Ergys Mërtiri tha në emisionin ‘Real Story’ të gazetarit Sokol Balla, në News24, se në mbledhjen e Kryesisë së Partisë Demokratike ditën e nesërme do të diskutohet për grupin, i cili përflitet se do të ndjekë procesin e listave që do të hartohen.
“Di që ka një mbledhje, ku do të diskutohet për grupin, i cili përflitet se do të ndjekë procesin e listave që do të hartohen. Flitet që Genc Ruli do të jetë pjesë e këtij grupi. Me sa di unë në PD listat do të dalin sipas parimit ‘një anëtar, një votë’. Nuk dihet çfarë kompetencash do të ketë Ruli këtu, pasi është një çështje që do të shihet në vazhdim. Basha e ka zgjedhur Rulin si një prej njerëzve, që ka qenë kritik ndaj tij, por edhe për të treguar se listat nuk i kontrollon ai. Në një far mënyre ka hequr nga vetja zërat për një konflikt në PD. Për të shmangur këtë ja ka deleguar kompetencat një grupi”, tha Mërtiri.
Ndërsa botuesi Fahri Balliu theksoi se Partia Demokratike ka qenë gjithmonë e hapur, dhe pikërisht për këtë ka pas njerëz që i kanë ikur.
“PD është e hapur, ka qenë e hapur. Pikërisht për këtë, ka pas njerëz që kanë ikur, se po të ishte e mbyllur, do të ishin brenda ata. Në qoftë se partia vendos për një njeri që nuk do të jetë deputet, kjo nuk do të thotë që ai është hequr. Hapja e PD nuk konceptohet sikur ishte mbyllur dhe është hapur, përkundrazi ajo ka qenë gjithmonë e hapur. Nuk i ka ikur elektorat Partisë Demokratike”, u shpreh Balliu.