Balliu: Policia e Shtetit u vra nga Edi Rama për të ndërtuar Policinë e Pushtetit
Në një intervistë për Ora News, ish deputeti i PD Klevis Balliu ka komentuar dhunën policore të ushtruar ndaj protestuesve mbrëmjen e djeshme.
Sipas tij, pas ardhjes në pushtet të Edi Ramës, Policia e Shtetit është shndërruar në Policinë e Pushtetit.
Klevis Balliu: “Nuk ka forcë, qoftë edhe politike, që të jetë më e fortë se revoltimi i të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë. Këtë gjë as vetë nuk e dinë, pushtetin që kanë. Me pastërtinë e tyre dhe me mbështetjen që kanë nga mbarë populli shqiptar.
Duhet të theksojmë se kjo që po jetojmë është një situatë dramatike dhe për shkak të një ngjarjeje të tmerrshme, të një ngjarje të tmerrshme, dramatike që ka lënduar të gjithë të rinjtë dhe të gjithë qytetarët shqiptarë dhe unë gjej rastin tu shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes të të ndjerit.
Mendoj se ka qenë një vrasje e paramenduar. Pse e them këtë? E para nga rrjedhja që ka marrë ngjarja nga Policia e Shtetit, në fakt Policia e Pushtetit se Policia e Shtetit u vra nga Edi Rama për të ndërtuar Policinë e Pushtetit. Një polici e mbushur me militantë partie, një polici e përfshirë në trafik, një polic e mbushur me ish spiuna dhe bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit dhe fatkeqësisht edhe kupola e kësaj policie.
Duhet të bëjmë kujdes për të bërë ndarjen mes Policisë së Shtetit dhe Policisë së Pushtetit. Ata që dhunojnë qytetarët janë Policia e Pushtetit. Policia e Shtetit është ai efektivi që iu bashkua protestuesve pranë Tajvanit.
Policia e Pushtetit janë edhe ata që arrestuan gazetarin tuaj Xhoi Malësia se po filmonte me celular në interes të qytetarëve dhunën barbare dhe shtazore të Policisë së Pushtetit, të krijuar nga Edi Rama. Këta nuk kanë lidhje me Policinë e Shtetit, këta nuk kanë lidhje as me atë uniformë. Këta janë Policia e Pushtetit e mbushur me militantë për të mbledhur vota dhe për të mbajtur në pushtet partinë e Rilindjes dhe Edi Ramën”