Ballkani/Epidemiologu: Vendet që fituan betejën. Flaka nuk u shndërrua në stuhi zjarri

Vendet e Ballkanit e fituan betejën me pandeminë COVID-19, ndërsa parashikime të caktuara tregojnë se vala epidemike duhet të përfundojë deri në fund të majit ose fillimin e qershorit, tha në një intervistë me shkrim për Anadolu Agency (AA) Prof. Dr. Dragan Danilovski, epidemiolog dhe Shef i Institutit të Epidemiologjisë dhe Biostatikës me Informatikë Mjekësore në Fakultetin e Mjekësisë, pranë Universitetit “Shën Qirili dhe Metodi” në Shkup. Prof. Dr. Danilovski, i cili është edhe ish-ministër i Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, iu përgjigj pyetjeve të AA-së për mënyrën se si në vendet e rajonit numri i personave të infektuar dhe të vdekur me llojin e ri të koronavirusit (COVID-19) është më i ulët se vendet më të mëdha të Evropës Perëndimore, për parashikimet në lidhje me përhapjen e virusit në rajon dhe në botë, por edhe për përvojat e marra nga njerëzimi në trajtimin e “armikut të padukshëm” të quajtur Covid-19

Ballkani, vaksinimet e detyrueshme si avantazh në luftën kundër COVID-19

Sipas mendimit të tij, një nga arsyet e shkallës së ulët të vdekshmërisë të shkaktuar nga COVID-19 në vendet e rajonit mund të jetë fakti që të gjitha vendet e Ballkanit tridhjetë vjet më parë kishin një rregullim shoqëror socialist, me sisteme të centralizuara shëndetësore, në të cilat vaksinimet e popullatës ishin të detyrueshme kundër shumë sëmundjeve infektive. Në të njëjtën kohë, ai shtoi se vendet e pasura të Evropës Perëndimore dhe SHBA kanë sisteme shëndetësore relativisht liberale, dhe në shumicën e rasteve vaksinimet nuk janë të detyrueshme.

“Në këtë kontekst u shfaqën supozime interesante, se të gjitha popullatat në të cilat vaksinat kundër tuberkulozit (BCG) ose poliomielitit ishin të detyrueshme, tani kanë shkallë më të ulëta si të pacientëve të infektuar, ashtu edhe të vdekur nga COVID-19. Mund të jetë kështu. Supozohet se te individë të tillë sistemi imunitar ka një reaktivitet më të madh ndaj infeksionit me koronavirusin e ri, pra ai do të zhvillojë tregues më të lartë të antitrupave mbrojtës në krahasim me sistemin imunitar të atyre që nuk janë vaksinuar. Bazuar në këtë logjikë, në Australi filloi një studim premtues për të provuar fuqinë mbrojtëse të vaksinës BCG.

Në Gjermani, kategoritë më të vjetra të qytetarëve po vaksinohen masivisht kundër pneumonisë (Streptococcus pneumoniae, shkaktar i zakonshëm i pneumonisë), me qëllim të forcimit të tërthortë të sistemit të tyre imunitar”, tha Danilovski. Ai shtoi se një arsye e mundshme është fakti se masat kufizuese të përcaktuara janë teknikisht më të lehta për t’u zbatuar dhe kontrolluar në vendet e vogla, siç është Ballkani, sesa në vendet me popullsi të madhe.

“Turqia, një shembull pozitiv i menaxhimit të suksesshëm të pandemisë”

Duke iu referuar niveleve të vdekjeve në disa vende evropiane dhe SHBA, si dhe vendet e Ballkanit (sipas të dhënave nga faqja worldometers.info), Danilovski thotë se është e qartë se të gjitha vendet e Ballkanit kanë 10-20 herë nivel më të ulët të vdekshmërisë. “Parashtrohet pyetja, cilat janë arsyet e këtyre dallimeve? Madhësitë e popullsive nuk mund të jenë faktor kryesor, pasi, për shembull, vendet skandinave kanë popullsi të ngjashme si ato ballkanike, dhe megjithatë nivelet e vdekshmërisë së tyre janë të paktën 10 herë më të larta. Sidoqoftë, është e vërtetë se, në parim, vendet me popullsi më të madhe kanë shkallë më të lartë të vdekshmërisë. Ky fakt është një realitet, pavarësisht nivelit të zhvillimit të vendeve.

Shtetet e Bashkuara kanë nivelin më të lartë të vdekshmërisë për një milion banorë (183), dhe Shqipëria si vend më i varfër në mënyrë të pakrahasueshme ka vetëm 10 vdekje për një milion. Fakti është se është më e lehtë të menaxhosh një epidemi në një vend me një popullsi prej 2 milionë sesa me 330 milion (SHBA). Në kategorinë e vendeve me popullsi të madhe, një shembull pozitiv i menaxhimit të suksesshëm të pandemisë është Republika e Turqisë, e cila me një popullsi prej më shumë se 80 milionë, ka një normë vdekshmërie nga COVID-19 me vetëm 37 në 1 milion”, tha Danilovski.

Danilovski beson se vendet e rajonit deri më tani janë ballafaquar mirë me koronavirusin, megjithëse të gjitha vendet e Ballkanit janë në mënyrë të pakrahasueshme më të varfra se vendet e tjera evropiane. Ndër arsyet e përmendura më parë lidhur me këtë situatë, ai konsideron se edhe masat në gjithë rajonin ishin më rigoroze dhe u zbatuan në kohën e duhur.

”Unë madje jam i mendimit që ato duhej të ishin zbatuar edhe më herët, si në vend, ashtu edhe në rajon. Kështu që do të kishim një shans për të prerë zinxhirët e infeksioneve, edhe pse numri i të infektuarve ishte dyshifror (në gjysmën e parë të marsit 2020). Në proporcion, edhe vdekshmëria do të ishte më e ulët. Gjithmonë ka një lloj inercie në të gjitha qeveritë kur bëhet fjalë për ngritjen e sugjerimeve të ekspertëve shëndetësorë. Askush në botë në atë kohë nuk besonte se sëmundja do të merrte përmasa pandemike. E që nuk është për t’u habitur, duke marrë parasysh faktin se bota nuk është përballur me një pandemi që nga 1918-1920 (pandemia e gripit spanjoll)”.

“Flaka nuk u shndërrua në stuhi zjarri”

Prof. Dr. Danilovski është i mendimit se qëllimi kryesor në luftën kundër koronavirusit është arritur duke mos tejkaluar kapacitetin e sistemit shëndetësor në vend. “Përkundër të gjitha ‘papërsosmërive’ në zbatimin e masave kufizuese (për shembull, mbyllja jo në kohën e duhur e kufijve, vonesat në masën e mbajtjes së detyrueshme të maskave, etj.), unë ende mendoj se ne të gjithë kemi arritur qëllimin themelor, dhe kjo është nivelizimi i kurbës së epidemisë, në mënyrë që të mos tejkalohet kapaciteti i sistemit shëndetësor. Flaka nuk u shndërrua në stuhi zjarri”. Ai shtoi se efektet do të ishin më të mira nëse paralelisht me masat kufizuese, testimi i hershëm i popullatës (kryesisht grupet e rrezikuara) do të ishte kryer me ndihmën e testeve serologjike të shpejta për të zbuluar grupimet e fshehura të infeksioneve, në mënyrë që ata sa më shpejt të izolohen.

“Te ne po planifikojmë një test të tillë në fund të majit, i ashtuquajturi studim i seroprevalencës, i cili synon të shohë shtrirjen dhe shpërndarjen e individëve tashmë imunë në mesin e popullatës së përgjithshme. Kjo do të jepte një ide për nivelin e imunitetit kolektiv të popullatës. Dhe nga ato të dhëna, mund të llogaritet rreziku i një vale të re epidemike të sëmundjes, mënjëherë pas heqjes së masave kufizuese. Në përgjithësi, të gjitha vendet e Ballkanit fituan këtë betejë me Covid-19”.

Lidhur me parashikimet e tij në lidhje me përhapjen e virusit dhe situatën që ai nuk pret në vend, në rajon, por edhe globalisht, prof. Dr Danilovski thotë se epidemia duhet të përfundojë deri në fund të majit ose fillim të qershorit. “Përafërsisht të tilla janë parashikimet për rajonin, por edhe për botën. Akoma nuk dihet si do të ecin punët në Afrikë. Atje duket se pandemia është në fillim. Meqenëse nuk e njohim virusin sa duhet, nuk mund të supozojmë me siguri se si do të sillet më tej”.

SHKARKO APP