Balluku dhe Balla inspektojnë godinën e re të policisë në Dibër: Kushte dinjitoze me standarde të BE-së

ZV/kryeministrja, Belinda Balluku së bashku me ministrin e Brendshëm, Taulant Balla dhe drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku vizituan nga afër godinën e re të Drejtorisë Vendore dhe Komisariatit të Peshkopisë ku u takuan edhe me efektivët e policisë të cilët operojnë në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër dhe Komisariatin e Peshkopisë.

Balluku duke vlerësuar investimet për përmirësimin e infrastrukturës, të cilat ndikojnë në performancën dhe lehtësimin e punës për punonjësit e policisë tha se ndërhyrja e realizuar ka sjellë një transformim rrënjësor të situatës.

“Ka ndryshuar shumë mënyra edhe sesi sot trajtohen të gjithë efektivët, përmes pagave të reja apo dhe gjithë paketave ndihmëse që Qeveria i ka dhënë. Ministri, jam dëshmitare për këtë, lufton në mbledhjet e kabinetit për të maksimalizuar të gjithë paketën mbështetëse për efektivët. Por nga ana tjetër edhe infrastruktura është shumë e rëndësishme”, u shpreh Balluku.

Ministri i Brendshëm Taulant Balla e cilësoi investimin në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër si të rëndësishëm dhe që e ka shndërruar këtë drejtori në një model përsa përket infrastrukturës. Balla tha se jo vetëm përmirësimi i infrastrukturës, por edhe trajtimi financiar i punonjësve të policisë do të vijojë, teksa shtoi se nga data 1 korrik do të nisë aplikimi i një rritjeje të konsiderueshme pagese për punonjësit e policisë.

SHKARKO APP