Balluku dhe Hoxha thirrje prefektëve: Merrni masa për përmbytjet
Zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku së bashku me Ministrin e Brendshëm, Ervin Hoxha zhvilluan një takim në Fier me prefektët e qarqeve të cilëve u kërkuan të përgatiten nga rreziku i përmbytjeve.
Teksa solli në vëmendje përmbytjet katastrofike në Valencia të Spanjës, Balluku kërkoi një rifreskim të planit të masave përpara nisjes së shirave të vjeshtës dhe ngricave të dimrit.
“Të gjithë njësitë, prefekturat duhet të rifreskojnë planin e masave, duhet angazhim maksimal me emergjencat civile. Edhe Ministri i Mbrojtjes ka nisur një tur takimesh. Përveç makinerive apo forcave të shtuara, do kërkohet dhe një plan i mirë eficent për përballimin e problematikave që mund të vijnë me shirat e vjeshtës dhe ngricat gjatë dimrit”.
Edhe Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha kërkoi një riorganizim të mbrojtjes civile në qarqe, për të përballur çdo surprizë të motit.
“Shirat e pritshëm të vjeshtës janë në prag, prandaj prefektët e qarqeve duhet të jenë në krye të punës për marrjen e masave për përballimin e situatave emergjente.”
Hoxha u ndal dhe tek sezoni turistik i vitit 2025, ku kërkoi nga bashkitë organizimin e vijës bregdetare, si dhe ofrimin e sa më shumë hapësirave të lira për qytetarët.