Balluku e prekur në parlament: Nuk kam dëshirë t’i mbaj lotët
“Duhet të kisha përgatitur një fjalim politik, për t’iu përgjigjur ankesave të opozitës, por nuk munda”, kështu u shpreh sot ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku në fjalën e saj në parlament, ku shpesh herë iu desh të nderpresë fjalimin e saj, për shkak të ngarkesës emocionale.
E përlotur, Balluku solli në vëmendje përjetimet në operacionet e kërkim shpëtim ndërsa kërkohej nën gërmadha.
“Opozitës i përulem me respekt shumë të madh por nuk jam emocionalisht gati për tu përgjigjur për ankesat e tyre. Programi që kemi është i shkëlqyer për të ndërruar banesat e reja, pavarësisht se dhimbja nuk kalohet. Jetoj në Ttiranë por më është dashur të ndaj me ata shumë momente. Kemi arritur në Durrës para se të zbardhte, pranë Dy Gjelave gjetëm Dritan Lelin me dy zjarrfikës nga Vlora që kishin arritur para nesh.
Ata njerëz nga rrënojat deri sa kanë ardhur të huaj i kanë nxjerrë zjarrfikësit shqiptarë, i ka nxjerrë Luani i cili kishte ardhur me Lelin. Shteti ka qenë i tëri në këmbë. Unë kam qenë në detyrën e ministrit por kam qenë atje si qytetare. Shalsi nuk e ka për detyrë të jetë në terren por ka qenë atje. Ky duhet të ishte një fjalim zyrtar për të dhënë numra dhe shifra. As kam dëshirë që t’i mbaj lotët në këto momente. Opozita duhet të ketë fytyrën e Edlirës.
Opozita është aty për të bërë dialog, ndaj duhet të ketë fytyrën e Edlirës. Është shumë e lehtë që secili prej jush të dalë dhe të thotë se çfarë u bë gabim por nuk e di si është të dalësh përpara Ramën Lalës, i vetmi i mbijetuar nga familja Lala. Ne nuk hahemi dot me natrën, nuk hahemi dot me Zotin. Asnjë ndërtesë nuk do hidhet pa u marr prej andej provat material. Sot është koha të mendojmë për rindërtimin, për t’u ngritur nga hiri si Feniksi. Ne duhet të jemi të gjithë bashkë për rindërtuar shpirtin e Shqipërisë. Nuk janë 51 ata që kanë vdekur. Na është goditur shpirti” u shpreh Balluku, ndërsa mbylli fjalimin e saj në parlament.