Balluku jep lajmet nga Rinasi: Sot në orën 15:00 vijnë vaksinat, nisin fluturimet esenciale
Pas situatës së krijuar në aeroportin ”Nënë Tereza”, ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku ndodhet në Rinas, ku thotë se në orën 15:00 mbërrijnë vaksinat dhe që nisin po ashtu edhe fluturimet esenciale. Sipas ministres, ka pasur një plan për të mbajtur aeroportin të bllokuar deri ditën e zgjedhjeve dhe se për këtë çështje po zhvillohen hetime të mëtejshme
”Pas ngjarjes së djeshme nga greva e paligjshme në këto momente në aeroport nisin fluturimet esenciale, përfshijnë humanitaret, emergjente, diplomatike dhe ushtarake. Kemi arritur të ruajmë sasinë e vaksinave që duhet të vinte dje e cila do të vijë sot rreth orës 15:00.
Informoj qytetarët që do të jetë e pamundur në këto momente për fluturime komeraciale, por po punohet për të zgjidhur këtë problem. Sipas planeve nesër në mëngjes do të kemi operime normale për të gjithë udhëtarët.
Kjo situatë e rëndë dhe e jashtë zakonshme na ka bërë të kuptojmë se ka qenë një plan i organizuar për të pasur një bllokim deri në ditën e zgjedhjeve. Rëndësi ka që trafiku ajror ka filluar punën”, tha Balluku.