Balluku: Shteti është në këmbë përballë motit ekstrem! Drenova: Defektet me energjinë në këto zona

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, së bashku me drejtorin e OST-së Skerdi Drenova, kanë folur për situatën e motit në vendin tonë. Balluku theksoi se jemi në kushtet e motit ekstrem, kurse shtoi se stuhia do të vazhdojë deri të premten. Ajo nënvizoi se për çdo problem, shteti është në këmbë.

Pjesë nga prononcimi:

Belinda Balluku: Jemi përballë motit ekstrem. Stuhia do të vazhdojë deri të premten. Shiu dhe bora shpresojmë se do të ndalen, por temperatura të ulëta pritet të ketë gjatë kësaj kohe. Shteti është në këmbë. Ne nuk duam aksidente. Dilni nga shtëpia vetëm kur të jetë e nevojshme. Jam në OST, me Skerdi Drenovën. Mbrëmë ishte situatë e rëndë për OST, dhe Skerdi do na bëjë situatën me dije.

Skerdi Drenova: Patëm dy defekte të rënda, ishte natë e vështirë. Dje në male dhe në bjeshke ishin ekipet në Burrel dhe në Vaun e Dejës. Sot në mëngjes janë nisur 4 grupe në Fierzë. Në kushte ekstreme moti, njerëzit po punojnë për të pasur energji elektrike. Të gjitha grupet tona janë në gatishmëri totale. Njerëzit tanë po bëjnë një punë të madhe.

Belinda Balluku: Për ne është shumë e rëndësishme që njerëzit tanë të ndihen të sigurt. Ne nuk kemi shkopin magjik, që të ndalojmë borën apo të ndalim çdo avari të mundshme, por ne sigurojmë që jemi në krye të punëve. Punonjësit e OST dhe të KESH kanë qenë e do jenë në gatishmëri.

SHKARKO APP