”Banda e bravave” edhe në PD e Elbasanit, Boçi: Me urdhër nga lart
Pas selisë blu në Tiranë, bravat e zyrave të PD-së po ndërrohen edhe në qytete. Në PD-në e Elbasanit ka ndodhur sot, dhe deputeti i zonës Luçiano Boçi, akuzon se urdhri ka ardhur nga lart, ndërsa thotë se anëtarësia do ta shprehi vullnetin me referendum.
”Të kesh frikë nga anëtarësia. Edhe në Elbasan PD ndërron bravat e dyerve? Me urdhër nga lart kuptohet. Ndonëse po vrapojnë për të zyrtarizuar përçarjen, janë në panik nga anëtarësia dhe verdikti i saj. E tmerrshme se si mund të përfundojnë në këtë derexhe. Po vota nuk është thjesht një letër që hidhet në një kuti. Vota është shpirt e mendje!
Votën anëtarësia e ka shprehur e ka dhënë çdo ditë kudo, në familje, në klub, në biseda me njëri-tjetrin. Po ne sa e sa herë i kemi ftuar i kemi thirrur të votojnë, duke rrahur gjoksin e duke thënë: sa shumë janë njërëzit tanë?
Tani ju i përzeni, ju i refuzoni, i mbyllni derën e shtëpisë së vet?! Ju qofshi në marrëzinë tuaj! Dyert dhe mund t’i mbyllni po e vërteta e vullnetit të tyre nuk mund të kyçet. Anëtarësia do ta shprehë vullnetin e saj në referendum. Mos keni iluzione se i ndaloni dot duke futur në xhep bravat! E shtunë dt 18 nga ora 08-17.00 PD i takon anëtarëve të saj”.