Baner provokues për Serbinë, tifozët dalin kundër

Ka filluar tashmë “fushata” e tifozëve kuqezinj në Facebook për ndeshjen e 8 tetorit ndaj Serbisë.

Natyrisht, shumë prej tyre, sipas të gjitha gjasave, do të mbeten jashtë stadiumit në këtë datë, sepse mënyra e shpërndarjes së biletave po orientohet nga FSHF-­ja më shumë nga zyrtarët, me qëllim që të shmangë incidentet e mundshme në “Elbasan Arena”.

Duke ditur se çfarë ndodhi në ballafaqimin e parë, të ndërprerë në minutën e 41-­të, 14 tetorin e kaluar në Beograd, natyrshëm lindin dyshimet për një hakmarrje të serbëve.

Kjo do të na bënte tepër “vulnerabël” para UEFA­-s, e cila mezi pret të bëjmë gabimin më të vogël dhe të na ndëshkojë. Sepse, këtë institucion e sfiduam në KAS­-in e Lozanës, kur hodhëm poshtë vendimet e tij dhe morën 3 pikët në tavolinë për ndeshjen e pambaruar me Serbinë. Përderisa në lojë, në shpërndarjen e biletave, është futur edhe SHISH-­i, pa llogaritur këtu policinë etj., gjithçka do të kalojë në “vrimën e gjilpërës”. E nëse tifozët e thekur e të zjarrtë të kombëtares, që nuk mund ta zhveshin veten nga adrenalina dhe mënyra e veçantë e përjetimit të një ndeshjeje të tillë, policia do t’i “krasisë” nëpërmjet “filtrave” të ndryshëm, askush nuk mund t’i ndalë të bëjnë tifo përmes rrjeteve sociale.

Kështu, “Albania Team”, një faqe e tifozëve kuqezinj në Facebook, ka hedhur së fundi një baner jo pak provokues për ndeshjen me Serbinë. Në foto është një montazh i flamurit që fluturoi me dron mbi stadiumin e Partizanit të Beogradit, 14 tetorin e vitit të kaluar, që mediat botërore e konsideruan “Shqipëria e Madhe”, si dhe kapiteni Lorik Cana, që e ka vënë përposhtë tifozin serb, i cili sulmoi me karrige Balën, me grushtin te koka e tij. Domethënia e këtij baneri promovues është e qartë: ka në thelb triumfin në fushën e lojës dhe jashtë saj.

Po ashtu, është një karikim kombëtarist, që mundohet t’u bëhet të gjithë tifozëve të kombëtares, të cilët kurrsesi nuk do ta humbisnin një derbi të tillë antagonist me serbët, por vështirë të jenë në stadium pjesa më e madhe, sepse numri i biletave që do të hidhet në shitje për ta do të jetë më pak se gjysma e kapacitetit të “Elbasan Arena”. Pjesa tjetër do të shkojë për zyrtarë institucionesh. Rasti e ka sjellë që ballafaqimi i 8 tetorit të ketë shumë rëndësi për Shqipërinë. Një fitore ndaj serbëve do të thoshte konsolidim i pozitave për vendin e dytë në grup dhe kualifikim direkt në finalet e “Euro 2016”. Serbia, nga ana tjetër, luan sa për statistikë, sepse ka dalë jashtë çdolloj objektivi në këtë fushatë kualifikuesesh. Sidoqoftë, me siguri serbët do të kërkojnë “shpagim”, në mënyra të ndryshme, për tetorin e vitit të kaluar, kur e morën të tatëpjetën.

Vetë kryeministri i këtij vendi, Aleksandar Vuçiç, ka pohuar se do të jetë tifoz në “Elbasan Arena” dhe do t’i tregojë homologut të vet shqioptar, Edi Rama, se kombëtarja serbe fiton brenda në fushën e kuqezinjve. Se çfarë do të prodhojë fusha e blertë, kjo mbetet të shihet, por më me shumë rëndësi është që të mos ndodhë asnjë incident, qoftë edhe më i vogli, në të kundërt ndëshkimi për ne është gati, tërë kjo punë e mirë e këtyre kualifikueseve mund të hidhet në erë. Sepse UEFA nuk na fal! Por tifozët janë kundra banerit, duke u shprehur se ne duhet te tregojme mikepritjen shqiptare. 

SHKARKO APP