Banesat i përshtatën si “ferma” kanabisi, pranga të rinjve shqiptarë në Angli
Finalizohet një tjetër operacion ndërkombëtar antikanabis. Operacioni u zhvillua në Angli nga Derbyshire Police në bashkëpunim dhe me asistencën e Policisë shqiptare.
Në pranga kanë rënë 2 shtetas shqiptarë, 23 dhe 25 vjeç, ndërsa është proceduar pronari i banesës që ua kishte dhënë banesat me qira dy të rinjve. Operacioni është zhvilluar të martën e 17 dhjetorit, por nga policia shqiptare është raportuar vetëm pasditen e kësaj të enjteje, 26 dhjetor 2019.
“U bë i mundur finalizimi i operacionit nga kolegët e Derbyshire Police dhe së fundmi u arrestuan në flagrancë, në pronat në Clowne dhe Creswell, shtetasit Daniel Cela, 23 vjeç dhe Danjel Ibrushi, 25 vjeç, nga Shqipëria. Gjithashtu, është proceduar penalisht edhe pronari i banesave që ua kishte dhënë me qira banesat dy shtetaseve të mësipërm, konkretisht 64-vjeçari nga Leicesteri”raporton policia.
Gjatë operacionit janë sekuestruar një sasi bimësh narkotike që kultivoheshin me llamba në ambiente të mbyllura.
“Çatitë e shtëpive i kishin veshur me materiale qe nuk e përçojnë nxehtësinë, me qëllim që të mos identifikoheshin nga Policia, gjatë monitorimeve me dron me sensor për nxehtësinë. Prej muajit korrik të vitit 2019, Derbyshire Police i ka kërkuar Policisë shqiptare asistencë dhe informacion lidhur me një grup të strukturuar kriminal, në fushën e kultivimit të lëndëve narkotike (cannabis sativa) që vepronte në Creswell dhe Clowne” sqaron policia.
Policia e Shtetit u angazhua duke kryer një sërë verimesh hetimore dhe gjithë informacioni i grumbulluar iu vu në dispozicion kolegëve të Derbyshire Police që u konkretizua dhe me finalizimin me sukses të operacionit.
Gjatë periudhës korrik-dhjetor 2019, nga Derbyshire Police janë vënë në pranga edhe 8 shtetas të tjerë shqiptarë. /Ora News