Bankat arkëtuan 70 mld lekë nga interesat – Shpenzimet për depozitat, shumëfish më të larta se vitin e kaluar
Deri në fund të 2024-ës, fitimet e bankave nga interesat pritet të tejkalojnë rekordin e vitit të kaluar. Të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se të ardhurat bruto nga interesat arritën në 70 miliardë lekë në fund të nëntëmujorit, gati 10 miliardë lekë më shumë se vitin e kaluar. Të ardhurat bruto të siguruara nga interesat kanë pësuar një rritje drastike me 51% në krahasim me tremujorin e dytë.
Për sa i përket fitimit neto të bankave nga interesat, ai rezulton në 56 miliardë lekë, rreth 10.4% më i lartë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Pavarësisht këtij bilanci afatshkurtër pozitiv, në krahasim me fundin e 2023-it, të ardhurat bruto dhe neto nga interesat e kredive, të investimeve në tituj qeveritarë, si bono thesari dhe obligacione, por edhe nga interesat e mbledhura në forma të tjera, janë tepër të ulëta.
Dhjetori i vitit të kaluar shënoi rekord për sa i përket fitimeve të bankave nga interesat, ku konkretisht u mblodhën 83 miliardë lekë bruto. Megjithatë, duke parë trendin aktual, deri në fund të vitit pritet që të tejkalohet shuma e interesave të mbledhura në 2023-in.
Në krahasim me të ardhurat e siguruara nga interesat, mund të thuhet se të ardhurat e mbledhura jo nga interesat janë në një shumë më të vogël. Sipas statistikave të publikuara nga Banka Qendrore, rreth 16 miliardë lekë ishte fitimi i bankave jo nga interesat.
Nga ana tjetër, shpenzimet për interesa kanë qenë shumëfish më të larta se periudha korrik-shtator 2023. Konkretisht, shpenzimet e realizuara për t’i paguar qytetarëve interesat e depozitave të tyre, por jo vetëm, arritën në 14 miliardë lekë në tremujorin e tretë, duke regjistruar kështu një rritje me thuajse 43%.