Bankat në Shqipëri s’njohin qeverinë ”Rama 2”
Zana pak javë më parë do të përjetonte një ngjarje familjare të rëndë. I ati iu sëmur në mënyrë akute dhe kishte nevojë për shërbim përtej kufijve. Spitali në Turqi e pranoi kërkesën, por mungonin paratë. Kursimet e familjes nuk mjaftonin, të gjithë me rroga modeste dhe pensione. “Druhesha të trokisja tek të afërmit dhe miqtë, nuk e kisha bërë ndonjëherë edhe pse ky rast ishte urgjent dhe kishte të bënte me shëndetin. Edhe pse duke trokitur përfundova, por jo sepse doja. Ishte e pamundur të zgjidhja gjë me bankat”,- tregon Zana për gazetën “Si”.
Zanës i kanë skaduar si karta e identiteti, ashtu edhe pasaporta biometrike sepse i ka prodhuar në të njëjtën kohë. Gjendja e pandemisë e bëri të mos arrinte ti rinovonte. Mandej një vendim i Këshillit të Ministrave se edhe letërnjoftimet e skaduara mund të përdoren deri në 31 dhjetor 2020 e lehtësoi duke marrë parasysh situatën e paqartë dhe të pasigurtë ekonomike, sepse “gati 10 mijë lekë të reja nuk janë pak në këtë kohë. Plus nuk kisha ndërmend të dilja jashtë”.
Të papriturat nuk të pyesin dhe kur shkoi në disa banka të nivelit të dytë në vend për të aplikaur për kredi, nuk mundi. Bankat nuk pranonin dokumentet e identifikimit të skaduara edhe pse me vendim qeverie. Banka Kombëtare Tregtare, Credins Bank, Reiffaisen Bank, Procredit Bank i thanë gazetës “Si” se dokumentet personale të identifikimit të skaduara nuk i pranojnë. VKM shkruan të zezë mbi të bardhë “shtetasit shqiptarë që kanë në posedim letërnjoftim ID (karta identiteti) që skadojnë brenda vitit 2020, do të kenë mundësi të përdorin këto letërnjoftime dhe përtej këtij afati, deri në përfundimin e gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga përhapja e Covid-19”. Ky akt normativ hyn menjëherë në fuqi. Po ashtu edhe për pasaportat biometrike për jashtë shtetit.
Vendimi i Qeverisë u ndërmorr në kohë karantine ku lëvizja ishte e pamundur ose tejet e kufizuar. Prej datës 23 qershor gjendja e jashtëzkonshme si pasojë e pandemisë Covid-19 ka përfunduar.
Marrë nga gazeta Si.