Bankat rrisin kredinë për SME-të – Portofoli u zgjerua me 15.5% në tremujorin III

Kredia për biznesin u rrit me 8.2% në muajin shtator. Analiza e Bankës së Shqipërisë për tendencat e kreditimit të ekonomisë konfirmon përmirësimin e ndjeshëm në segmentin më të madh të huadhënies për ekonominë shqiptare. Gjatë tremujorit të tretë, portofoli i kredisë për biznesin u rrit me 8.7 miliardë lekë, rritja më e lartë në tre vitet e fundit. Sipas Bankës së Shqipërisë, kjo rritja ka reflektuar një rritje të qëndrueshme të kërkesës për financim dhe një ofertë më të lartë të bankave ndaj kërkesave të shtuara nga bizneset.

Rritja ka ardhur kryesisht në segmentin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, ku portofoli i kredisë u rrit mesatarisht me 15.5% në tremujorin e tretë. Në vlerë, huaja për SME-të u rrit me 9 miliardë lekë, rreth dy herë më shumë se një tremujor më parë. Në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, kredia për SME-të ka shënuar rritje në 11.3%, ose 0.4 pikë përqindje më shumë se në fund të vitit 2018. Brenda segmentit të SME-ve, biznesi i mesëm është nëngrupi që ka shfaqur performancën më të mirë.

Po të krahasojmë qasjen ndaj biznesit sipas madhësisë, vihet re se bankat aplikojnë standarde më të shtrënguara kreditimi për biznesin e madh, krahasuar me SME-të, standardet e të cilave kanë qenë përgjithësisht në kahun lehtësues që prej vitit 2015. Banka e Shqipërisë vlerëson se favorizimi i SME-ve nga bankat lidhet jo vetëm me nevojën për një balancim më të mirë të portofolit të bizneseve drejt SME-ve, por edhe me rritjen e formalizimit të këtij segmenti në vitet e fundit, përdorimin më të pakët të levës financiare prej tij, si dhe mbështetjen e tij me projekte nga institucionet ndërkombëtare. Rritja e financimit të këtij segmenti do të mundësonte jo vetëm mbështetjen më efektive të ekonomisë nga sektori bankar, por njëkohësisht do të krijonte premisa për rritjen e këtyre bizneseve në baza më të shëndosha.

SCAN

SHKARKO APP