Banorët e fshatit Vloçisht, protestë për sistemin e ujërave të zeza: Po detyrohemi të mbyllim fëmijët!
Rreth 150 familje të fshatit Vloçisht të bashkisë së Maliqit janë ngritur në protestë pasi çdo ditë u duhet të përballen me problematikën e mungesës së kanalizimeve të ujëra të zeza.
Me këtë problematikë përballen prej vitesh. Investimi i nisur prej bashkisë së Maliqit për sistemimin e kanaleve të ujërave të zeza është lënë në mes.
Kjo ka sjelle revoltën e banorëve të fshatit.
Banorët ngrejnë alarmin për fëmijët e tyre dhe këto kushte detyrohen të mbyllen në shtëpi.
Duke shprehur frikën për përhapjen e sëmundjeve kërkojnë që të ketë një reagim sa më të shpejtë.
Ora News u interesua për këtë problem pranë bashkisë së Maliqit, kryetari i së cilës, Gëzim Topçiu, u shpreh se investimi është ndërprerë për shkak të mungesës së fondeve, dhe pritet që të merret aprovim nga pushteti qëndror për financimin e rehabilitimit të kanalizimeve.