Banorët e një pallati në Durrës protestë: Ka ceduar 60 cm nga tërmeti, nuk kemi ekspertizë. Reagon bashkia

Pallati numër 2005 në Durrës është një prej atyre që është dëmtuar rëndë nga tërmeti i dy muajve të shkuar. Nga akt konstatimi i parë, i bërë pallati rezulton me dëme të pakta. Por 32 familje të këtij pallati në lagjen numër 5 në Durrës kërkojnë ekspertizë të thelluar për godinën e cila sipas tyre është një rrezik i madh potencial për jetën. Banorët kanë dalë para mediave në Durrës duke protestuar pasi kanë mbetur të pastrehë që prej 26 nëntorit të 2019.

Banorët thonë se pallati i tyre ka ceduar 60 centimetra, ndërkohë që deri tani nuk ka një ekspertizë nga Instituti i Ndërtimit.

“Duam të dimë çfarë do të bëhet me pallatin tonë, pasi privatisht kemi sjellë ekspertë italianë dhe amerikanë të cilët na kanë thënë se është i rrezikshëm, por Instituti i Ndërtimit nuk na kanë ardhur”, thotë një banor.

Banorët thonë se nga akt konstatimi i parë që u bë nga ana e bashkisë thuhet që nuk ka asnjë problem, nga këqyrja me sy. Ndërkohë që banorët të cilët kanë frikë të banojnë aty duan të dinë çfarë do të bëhet me pallatin e tyre.

Një tjetër banore thotë se banorët kanë ikur nga pallati janë larguar nëpër të afërm dhe në banesa me qira, ndërkohë që nuk kanë marrë ende as bonusin e qirasë. “Na iku mundimi i një jete të tërë, sepse na u shkatërrua gjithçka”, thotë një banore.

REAGIMI I BASHKISË

Ndërkohë ka ardhur edhe reagimi i Bashkisë së Durrësit, e cila deklaron se Pallati është shpallur i pabanueshëm dhe kështu figuron edhe në sistem. “Bashkia e Durrësit e ka dërguar këtë rast për ekspertizë të thelluar në Institutin e Ndërtimit nga ku pritet një përgjigje. Është ekspertiza e këtij instituti që do të vendosë çfarë do të ndodhë me këtë godinë. Ky pallat është i rrethuar me shirita për të mos lejuar afrimin e njerëzve në të pasi përbën rrezikshmëri.

Banorët kanë vijuar normalisht marrjen e bonusit të qirasë ku deri tani 15 familje nga ky pallat kanë kaluar për likuidim të pagesës ndërsa pjesa tjetër janë në proces. Cilido nga këta banorë që ka paqartësi lidhur me bonusin duhet të paraqitet në njësinë administrative përkatëse ku do të marrë informacionin e nevojshëm”, deklaron Bashkia.

Banorët e një pallati në Durrës protestë: Ka ceduar 60 cm nga tërmeti, nuk kemi ekspertizë

SHKARKO APP