Banorët e plazhit në Durrës protestë pranë pallatit të dëmtuar
Dy muaj pas tërmetit, shumë familje në Durrës janë rikthyer të jetojnë në banesa e pallate të rrezikshme, pasi Bashkia sipas tyre i ka harruar. Ankesa kanë për vonesa në ekspertimin e banesave dhe lëvrimin e bonusit të qirasë.
Këta banorë të lagjes 13 në zonën e plazhit në Durrës, pallati i të cilëve u dëmtua nga tërmeti i 26 nëntorit protestuan të hënën për atë që e quajnë neglizhencë dhe harresë nga Bashkia dhe qeveria qendrore.
“Ne duam nga ky shtet që të thonë është i banueshëm pallati apo nuk është”
Kur kanë kaluar më shumë se dy muaj nga tërmeti, ata ende nuk kanë asnjë përgjigje nëse mund të jetojnë në këtë pallat, ku ngrenë alarmin për dëmtimet që ka marrë si pasojë e shkeljeve nga ndërtuesit.
“Tarracën e kanë të gjithë banorët e pallatit. Ai ka bërë papafingon dhe gjithë shirat ranë nëpër shtëpi”
Ankesa kanë edhe për bonusin e qirasë. Thonë se nga hotelet i nxorën, por pagesat nuk ua kanë dhënë
“Na çuan në hotel, hoteli në përzuri”
Burime nga bashkia Durrës thanë se këto familje kanë përfituar bonusin e qirasë, por pranojnë se ato ende nuk janë lëvruar.
Ndërsa për gjendjen e pallatit, pritet të behët një ekspertim i thelluar për të vendosur nëse ai është i banueshëm.