Banorët e prekur nga tërmeti të strehuar në Shëngjin

“Rindërtimi i banesave dhe sistemimi i tyre në shtëpitë e reja do të jetë prioriteti i punëve tona”, deklaroi sot kryeministri Edi Rama. Kreu i qeverisë ndau sot takimin që zhvilloi deputetja e Partisë Socialiste në Lezhë, Ardiana Jaku, me banorët e prekur nga tërmeti, që janë sistemuar në hotelet e Shëngjinit. “Në Shëngjin me Ardianën, deputeten e Lezhës pranë familjeve të strehuara në Kompleksin “Rafaelo”, për t’i siguruar se rindërtimi i banesave dhe sistemimi i tyre në shtëpitë e reja do të jetë prioriteti i punëve tona”, tha Rama.

Ndërkohë në takimin me banorët, deputetja e Lezhës, Ardiana Jaku u sigurua se ata marrin të gjitha shërbimet e nevojshme, që nga strehimi deri te shërbimet shëndetësore. Ajo siguroi banorët se “nga të gjitha shtëpitë që vlerësohen për dëme, prioritet kanë familjet që kanë një të moshuar brenda, një të sëmurë apo fëmijë të vegjël”. “Ata janë në krye të listës pastaj vijnë gjithë familjet e tjera. Ky është kriteri. Kryeministri e ka thënë se vlerësimi do të fillojë pikërisht nga këto familje. Kuptohet që merr kohë, nuk është e thjesht dhe ne përpiqemi të vijmë herë pas here dhe të raportojmë se çfarë shohim me sy”, tha ajo.

Jaku siguroi banorët se shteti ka një fond të posaçëm për rindërtimin dhe Durrësi, Thumana, Laçi, Lezha janë prioritete. “Kërkoj durim, pasi kjo është kalimtare”, tha ajo. Ndërkohë banorëve të sistemuar në kompleksin “Rafaelo” u sigurohen kushtet më të mira të strehimit, ushqimit, higjenës dhe shërbim shëndetësor i përditshëm.

SHKARKO APP