Banorët e Thumanës nuk dalin nesër nga hotelet, shtyhet afati i qëndrimit
Shtyhet qëndrimi në hotele i banorëve të Thumanës që kanë humbur banesat nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Autoritetet vendore dhe qendrore janë tërhequr nga vendimi për t’i larguar nga hotelet e Shëngjinit. Afati i fundit i lënë më parë ishte 3 janari, por duke qenë se jo të gjithë kanë gjetur banesat me qira, vendimi për qëndrimin e tyre në hotel është shtyrë.
Një fakt i tillë është konfirmuar nga vetë banorët të cilët thonë se mbrëmjen e së mërkurës kanë zhvilluar një takim me kryebashkiakun e Krujës Artur Bushi.
Sipas tyre, Bushi u ka premtuar se do të qëndrojnë në hotele deri në sigurimin e banesave me qira. Dhe në fakt një gjë e tillë duket e vështirë për këta banorë të cilët thonë se tregu i qirave është rritur.