Bardh Spahia publikon mesazhin: Skandal, në spitalin e Shkodrës nuk ka tamponë, të ardhurit nga zonat e kuqe nuk bëjnë dot analizën e COVID-19
Partia Demokratike ka shpërndarë një postim të Bardh Spahisë, ku ky i fundit publikun një mesazh të një qytetari, që thotë se në Spitalin e Shkodrës nuk ka tamponë.
PD thotë se qytetari denoncon rastin skandaloz, sesi të ardhurit nga zonat e kuqe nuk bëjnë dot analizën e COVID 19.
Postimi i ish-deputetit demokrat Bardh Spahia:
A KA MUNGESE TAMPONASH APO THJESHTE PAPERGJEGJSHMERI?
Shqetësimi kryesor i mjekëve në këtë periudhë është mungesa e tamponëve dhe mjeteve për të bërë analizat e COVID-19. Në Shkodër, personeli shëndetësor denoncon se ka raste të dyshuara për qytetarë të ardhur nga Italia dhe nuk ka tamponë për analiza!
Po bëhen dy javë që mjekët, qytetarët dhe opozita po e ngremë këtë shqetësim, por Ministrja e Shëndetësisë, hesht pa dhënë asnjë përgjigje. Që prej të premtes po bëhen shumë pak analiza. Edhe sot janë bërë vetëm 32 teste, ndërkohë që numri i personave të infektuar është në rritje të vazhdueshme.
Si dreqin mund të jetë papërgjegjshmëria deri në këtë masë? Si mund të mos merren masa por të heshtet e të sulmohet kushdo që denoncon këtë situatë? Heshtja dhe fshehja e kësaj situate është kriminale! Nuk mund të luhet kështu me jetët e njerëzve!