Bardh Spahia: Trajtimi anti-Covid është falas me ligj, qeveria po kryen vepër penale
Ish-deputeti i Partisë Demokratike Bardh Spahia deklaron se trajtimi anti-covid është falas me ligj, ndërsa qeveria po kryen vepër penale/
“Propaganda sistematike e Edi Ramës dhe e ministres së tij militante të shëndetësisë, tregon se e kuptojnë fare mirë se çfarë po u bëjnë qytetarëve, pra çdo veprim në dëm të tyre e kanë me ndërgjegje!
Braktisja e qytetarëve duke mos u ofruar trajtimin shëndetësor falas për Covid-19, përveçse ç’njerëzore është shkelje ligjore dhe një shkelje që cënon shëndetin e jetën është vepër penale.
Ligji 15/2016 “Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive” detyron qeverinë, që çdo personi të dyshuar ose të konfirmuar me sëmundje infektive, sipas një liste të përcaktuar nga Shërbimi Kombëtar i Inteligjencës Epidemike dhe Shërbimi Kombëtar i Kujdesit ndaj Sëmundjeve Infektive, të miratuar me urdhër nga ministri përgjegjës për shëndetësinë, t’i ofrohet shërbim shëndetësor i MENJËHERSHËM dhe FALAS, pavarësisht nivelit të kujdesit shëndetësor. Madje i njëjti ligj detyron që shërbimi për trajtimin e një sëmundje infektive të ofrohet FALAS si në strukturat PUBLIKE, ashtu edhe PRIVATE.
Kjo nuk ndodh nën regjimin e Edi Ramës. Nga protokolli i trajtimit, që mban firmën e zv. ministres së shëndetësisë / kryetare e komitetit të ekspertëve për trajtimin e të sëmurëve me Covid, vetëm Azitromicina është në listën e rimbursimit. Por këtë medikament qeveria e rimburson pjesërisht: vetëm 6 kokrra (tablete) prej 250 mg. Pacientit covid i duhet azitromicinë 500 mg për të paktën nga 6-9 ditë, pra edhe sikur të merren dy kokrra nga 250 mg në ditë, duke rimbursuar vetëm 6 kokrra 250 mg, shteti praktikisht rimburson vetëm 3 ditë terapi me azitromicinë!!!! Krejt e pamjaftueshme dhe tallëse, sidomos kur e njëjta zv. ministre që ka nënshkruar këtë protokoll deklaron se trajtimi anti-Covid është falas dhe rimbursohet!
Asnjë nga barnat e tjera të parashikuara në protokollin e miratuar nga ministria e shëndetësisë nuk janë në listën e rimbursimit: as Levofloxacina, as Moxifloxacina, as shurupët e kollës, e madje as edhe tresoli!
I vetmi nga barnat e përdorur për Covid, e që rimbursohet është kortizoniku, një preparat që kushton shumë lirë.
Nga antikoagulantët në listën e rimbursimit është vetëm aspirina 100 mg dhe Xarelto, por për Xarelto ka kufizim strikt, sepse rimbursohet vetëm për të sëmurët kronikë me Fibrilacion Atrial”, shprehet ish-deputeti demokrat Bardh Spahia.