Bardhi: Berisha vendosi fokusin e betejës brenda PD-së, është i izoluar nga partnerët e huaj

Deputeti i PD-së, Gazment Bardhi thotë se Sali Berisha nuk e meriton të jetë lider në atë parti, dhe se për të nuk është ai e ardhmja e PD-së. Po ashtu Bardhi thekson edhe se Berisha është i izoluar nga partnerët.

”Dua të them që ne nuk duam që të kemi një betejë brenda PD-së por Berisha është ai që vendosi fokusin e betejës brenda PD-së. Personalisht kam bërë një zgjedhje për të gjithë njerëzit që kanë besuar tek unë se për çdo shpifje që bën Berisha ndaj meje, unë do ti përgjigjem me një të vërtetë ndaj tij. Atë që unë besoj, që ai nuk është e ardhmja e PD-së e kam thënë e do ta them me zë të lartë. Ai është i izoluar nga partnerët tanë strategjikë dhe pas 32 vitesh PD-ja duhet të prodhojë një lider të ri”.

Po ashtu Bardhi nënvizon edhe se Kuvendi i Shqipërisë është i detyruar të përcjellë në Kushtetuese mocionin për mandatin e ministres së Jashtme, Olta Xhaçka.

”Ka një vendim të gjykatës që e detyron Kuvendin që në raste të tilla ta dërgojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Verifikimi i vetëm që bëjnë është nëse shkresa ka apo jo firmat e duhura. Në total duhen 14 firma. Kuvendi është i detyruar në çdo rast ta përcjellë këtë çështje në gjykatën kushtetuese. Ne kemi të gjitha dokumentet e duhura. Nëse është e mundur ne mund ti transmetojmë edhe sonte këtu. Kjo kompani është 100% në emër të bashkëshortit të Ministres. Është futur e ka fituar statusin e investitorit strategjik”.

SHKARKO APP