Bardhi kundër të vetëve, mbron paktin PD-PS: Dashnorët e listave të hapura t’i lënë mandatet
Me një retorikë të ashpër, kreu i grupit parlamentar të PD, si dhe nënkryetar i kësaj force politike, Gazment Bardhi mori në mbrojtje marrëveshjen e arritur mes PD dhe PS për ndryshimin e kodit zgjedhor, duke iu kundërpërgjigjur edhe disa ligjvënësve demokratë që u rreshtuan kundër dhe e quajtën pazar të turpshëm.
Duke i cilësuar ata brenda kampit blu që kritikuan ndryshimet, si “dashnorë të listave të hapura” Bardhi i ftoi që të heqin dorë nga mandatet për t’i lënë vend atyre që kanë marrë më shumë vota se ta, por janë renditur më poshtë në listë dhe nuk kanë mundur të thyejnë herësin. Nga ana tjetër, ai i kritikoi kolegët e tij deputetë se po shprehin refuzimin për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese përmes kundërshtisë për ndryshimet e Kodit Zgjedhor.
”Po ftohemi të refuzojmë zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, sepse në fakt drafti që kemi sot përpara për votim dhe që na është paraqitur nga kolegët e mandatuar, parashikon ekzaktësisht vetëm këtë. Nëse jeni kaq dashnorë të listave të hapura, hiqni dorë nga mandati dhe lini ata që morën më shumë vota dje se ne. Secili prej nesh në qarqet tona ka pasur deputetë në listat tona më poshtë nesh që kanë fituar më shumë vota se ne. Jepeni dorëheqjen sepse ka kolegë që ka më shumë vota se një pjesë prej nesh në këtë sallë”,-tha Bardhi.