Bardhi nga spitali për Gjekmarkajn: Policia doli zbuluar, deklarata manipuluese

Nga spitali i Traumës, kreu i grupit parlamentar i PD-së, Gazment Bardhi teksa vizitoi deputetin demokrat Agron Gjekmarkaj, tha se deklarata e policisë tregon që ka patur një skenar dhune. Gjendja e të cilit sipas tij aktualisht është stabël dhe mund të transferohet në QSUT.

”Fakti që policia ka dalë me qëndrim zyrtar pa mbledhur faktet e provat, tregon se tenton ta fshehë rastin dhe se kanë marrë autorësinë politike për dhunimin e nënkryetarit të Kuvendit”, u shpreh Bardhi. Duke e cilësuar kriminale dhe manipuluese deklaratën e Policisë e cila hodhi poshtë denoncimet se Gjekmarkaj është goditur nga efektivët, Bardhi tha se kanë dalë zbuluar duke marrë autorësinë e urdhrit politik. Sipas tij, nuk është dhunuar vetëm Gjekamrakj, por edhe ai vetë dhe deputetë të tjerë të opozitës, por që nuk kanë nevojë për kujdes shëndetësor.

”Zoti Gjekmarkaj është një prej njerëzve më paqësorë të PD, përfaqësues i denjë i botës akademike. Nuk ka ushtruar kurrë dhunë në jetën e tij dhe sot është gjendur para një dhune shtazore. Ka patur probleme të rënda me frymëmarrjen. Për shkak të shtrëngimit e dhunës së ushtruar nga policia ka humbur ndjenjat. Dua të dënoj me forcë deklaratën kriminale, qesharake, manipuluese të policisë që në vend që të reflektojë e të urdhërojë hetim për çdo punonjës policie që ka shkelur ligjin duke dhunuar nënkryetarin e kuvendit dhe del e mashtron opinionin publik.

E vërteta është që jo vetëm Gjekmarkaj, por edhe individët që e shoqërojnë atë. Policia nuk ka pyetur as për gardën, por ka ushtruar dhunë të pashembullt ndaj një njeriu paqësor dhe një përfaqësuesi të denjë të botës akademike shqiptare.

Një nga njerëzit më të paqtë që ka transmetuar gjithmonë mesazhe paqeje. Ne mësuam autorët e vërtetë të kësaj ngjarjeje; është përgjegjësi e ministrit të brendshme drejtorit të policisë që të distancohen nga aktet e dhunës. Duke mashtruar opinioni publik kanë dalë zbuluar duke marrë autorësinë e urdhrit politik për të dhunuar Agron Gjekmarkajn”,-tha Bardhi.

SHKARKO APP