Bardhi përgjigjet nga Kavaja për mandatin e Xhaçkës: Duhej t’i ishte hequr një vit më parë, po injorohet Kushtetuta!
Nënkryetari i Rithemelimit, Gazment Bardhi i është përgjigjur nga Kavaja kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla në lidhje me mandatin e Olta Xhaçkës. Sipas Bardhit, edhe pse ish-ministrja e Jashtme, bën burrin investitor strategjik, grabit 10 mijë m2 tokë për të ndërtuar në resort, ajo nuk është as në burg, as i hiqet mandati i deputetit, sepse kështu vendos Edi Rama, sepse ajo është bashkëpunëtore e Edi Ramës.
Sipas Bardhit, ish-ministres së Jashtme duhej t’i ishte hequr mandatin një vit më parë pasi ka bërë bashkëshortin e saj investitor strategjik dhe ka grabitur 10 mijë metra katrorë pronë për të ndërtuar një resort.
“Duke qenë djalë Kavaje, unë jam në shtëpinë time. Edhe pas 33 vitesh, Kavaja i ka treguar rrugën PD dhe na tregoi se çfarë duhet të bëjmë deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Nuk jam këtu për të shpallur fitoren, por kam bindjen se nëse bëjmë ekzaktësisht atë që bëtë ju më 14 maj, ne do të bëjmë realitet fitoren e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 2025. Ajo që është përgjegjësi e jona, e lidershipit të partisë, është të mos shpërdorohet besimi juaj.
Nuk dua dhe s’kam ndërmend të ndalet te qeveria Edi Rama, sepse më shumë e ndjeni ju sesa keq qeveris Edi Rama sesa ne si deputetë. Ndonjëherë edhe për shkak të gabimeve tona jua kemi shtuar vështirësitë dhe nuk është tepër të kërkosh ndjesë dhe kam bindjen e plotë që ajo ndjese duhet të shoqërohet me rrugën e qartë që nuk përsërit me gabime. PD nuk ka më kohë për të humbur. PD është e vetmja shpresë që Shqipëria të bëhet më mirë, të ecë përpara dhe të mos ngecë në këtë model 12 vjeçar qeverisës që na e ka ofruar Edi Rama.
Për shembull, ish-ministrja e Jashtme, bën burrin investitor strategji, grabit 10 mijë metër katrorë tokë për të ndërtuar një resort dhe sot nuk është as në burg, madje Edi Rama nuk lejon as t’i hiqet mandati, edhe pse sipas Kushtetutës, kësaj deputeteje të mazhorancës duhej t’i ishte hequr një vit përpara. Ndërsa për opozitën kemi shkelje të Kushtetutës, burgosje në shkelje të Kushtetutës, ndërsa në rastin e Edi Ramës kemi injorim të Kushtetutës, mbrojtje politike ndaj atyre që grabisin, jo pak por 10 mijë metër katrorë pronë. Ky ka qenë modeli që na ka ofruar Edi Rama dhe barra i ka rënë PD-së ta bëjë ndryshimin”, tha Bardhi.