Bardhi: Rama po destabilizon vendin! Dhuna ndaj Dollapit u krye me urdhër
I ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë” Gazmend Bardhi sqaroi edhe dhunën e ushtruar ndaj sekretarit organizativ të PD-së, Sahit Dollapi, në protestën e 11 majit. Lidhur me pamjet ku Sahit Dollapi duket se qëllon ndaj forcave të policisë, Bardhi tha se dy drejtues të lartë e ofenduan dhe ai ka hedhur një shihe ujë.
Për sekretarin organizativ të PD-së policia nuk ka bashkëpunuar me organizatorët e saj, pasi sic tha ai, skenari i policisë është vetëm dhuna. Bardhi u shpreh se sekretari organizativ i PD-së u dhunua me urdhër politik të Edi Ramës.
“Rama i ka vënë zjarrin Shqipërisë prej 6 vitesh,i ka vënë zjarrin shtepive të shqiptarëve, është në kushtet që përdor gaz në dhomën ku flejnë të mitur, për t’i nxjerrë nga shtëpitë, e zemërata e tyre sa vjen e rritet, detyra jonë është të menaxhojmë këtë zemëratë. Janë me mijëra qytetarë në shesh për shkak të zemëratës dhe asnjë punonjës policie të lënduar. Policia nuk ka bashkëpunuar me organizatorët e tubimit sepse skenar i saj është skenari i dhunës.” U shpreh Bardhi ndërsa sqaroi edhe pamjet e publikuara në media të sekretarit organizativ të PD, Sahit Dollapit.
“Dy drejtues të lartë e ofenduan dhe ai ka hedhur një shihe ujë. Ka qenë në vijë të parë, krah punonjësve të policisë, dhe akti që mori në këmbim, ishte një dhunë cnjerëzore ndaj tij. Krimineli me uniformë do të marrë përgjigje personale e institucionale. Me urdhër politik ka kërkuar sekretarin organizativ ka provokuar atë situatë dhe ka dhunuar Dollapin. Ai është kallëzuar por në kushtet kur prokuror është edi rama, nuk presim të veprojë ndaj atij individi. Është politike, është një burracak që fshihet pas uniformës”, u shpreh Bardhi.
Thirrjet e ambasadorëve
Sekretari i Partisë Demokratike, duke folur për deklaratat e ambasadorëve se nuk duhet përdorur dhunë në protesta, u shpreh se Ambasadat në Tiranë duan thjesht stabilizim të vendit.
Bardhi tha më tej se Shqipërinë po e destabilizon Rama. Ai akuzoi se Rama është personi që me bandën e tij po çon Shqipërinë për në destabilizim.
“Sa i takon dhunës të shfaqur me pamje, polici që goditi do marrë përgjigjen e merituar personale dhe ligjore. Përgjigjen e merituar nuk do të marrë vetëm ai, por kushdo që gjuan mbi protestuesit e pafajshëm. Policia është sjellë në mënyrë kriminale, aprofesionale dhe të paligjshme. Kjo qeveri bën krim, edhe me atë se helmon gjysmën e Tiranës. Qytetarët janë helmuar me gaz lotsjellës nga Policia e Shtetit, është përdorur uji me presion dhe është tentuar gjatë gjithë kohës që të pengohet tubimi.
Nuk është përdorur as molotov dhe asnjë akt dhune. Në rast se është hedhur molotov në drejtim të Drejtorisë së Tiranës, kërkoj ndjesë. Ne kemi parë se ku mbahej i mbyllur Sahit Dollapi, numri 3 i PD dhe jemi dhunuar nga policia. Ishin krijuar kordonë policorë, që pengonin liderin e Partisë Demokratike që të hynte në ambjentet policore. Është dhunuar zonja Vokshi gjithashtu, sepse kërkonte llogari se si dhunonte policia në atë formë. Dollapi u mbajt peng në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Sikur të ishte kriminel, u dërgua në spital. Edhe pse nuk kishte kryer asnjë krim, nuk u lejua askush ta vizitojë në spital.
Protesta e fundit ka qenë normale dhe nuk ka pasur dhunë. Nuk marr përsipër të shpreh mendime për deklarata as në anglisht dhe as tjetër gjuhë. Asnjë punonjës policie, asnjë funksionar shteti nuk është dhunuar nga asnjë protestues apo përfaqësues të opozitës së bashkuar. Në momentin që kjo polici prish shtëpitë, është normale që qytetarët reagojnë kështu, ka vetëm aktorë që regjistrohen nëpër spitale për të bërë propagandë qeveritare. Asnjë derë e Kryeministrisë nuk u dëmtua. Nuk ka pasur asnjë akt dhune.
Unë e lexoj si një qëndrim të individëve që përfaqësojnë shtetet e tyre në Shqipëri që kërkojnë që këtu të ketë thjesht stabilitet e jo mirëqeverisje dhe dua t’iu them që i vetmi problem është Edi Rama e banda e tij. Destabilitetin e vendit e ka sjellë Rama dhe banda e tij në pushtet. Protestat sa vjen e bëhen më të mëdha. Dërgimi i Komisionerëve si veprim teknik është bërë për t’i treguar ndërkombëtarëve se këtu bëhen shkelje në zgjedhje. Rama është shqetësuar për këtë veprim të PD dhe LSI. Votime moniste më 30 qershor nuk ka për të pasur. Që të zgjedhësh duhet të kesh kandidat përballë”, deklaroi Bardhi.
KOHA JONË SONDAZH

