Bardhok Pulaj: Shkollat në Lezhë, gati për të pritur nxënësit

Flet drejtori i Drejtorisë Arsimore Rajonale Lezhë

Shkollat e Lezhës janë gati për të pritur vogëlushët dhe nxënësit në fillimin e vitit të ri mësimor 2015-2016 më 14 shtator. Janë marrë të gjitha masat për një fillim të mbarë e mbarëvajtjen e këtij procesi të rëndësishëm. Kështu prononcohet për “Koha Jonë”, drejtori i Drejtorisë Arsimore Rajonale Lezhë, Bardhok Pulaj. Pothuajse në të gjitha shkollat e Lezhës dhe të rajonit të saj, janë kryer ndërhyrje të nevojshme të pjesshme, ndërsa ka shkolla si ajo 9-vjeçare “Gjergj Fishta” në qytetin e Lezhës, ku është kryer rikonstruksioni i plotë me parametra bashkëkohorë dhe është gati për të pritur nxënësit më 14 shtator , proces që është ndjekur në vazhdimësi edhe në periudhën e verës nga drejtori z. Pulaj. “Ndërkohë, do të bashkërendojmë projektet në vazhdimësi me Bashkinë e Lezhës, për financimin në infrastrukturën shkollore dhe ecurinë e mbarëvajtjen e procesit mësimor-edukativ”,- thekson drejtori i DAR, Lezhë, Bardhok Pulaj. Ai shton se investimet po bëhen në mënyrë që shkollat dhe kopshtet t`u përgjigjen kërkesave bashkëkohore të nxënësve, të mësimdhënies e rritjes së cilësisë në arsim. “Risi në këtë vit mësimor,- vlerëson z. Pulaj,- është futja për herë të parë e ndjekjes së mësimeve të profilizuara për muzikë në klasat e para e të gjashta, në shkollën 9-vjeçare “Besëlidhja”, në qytetin e Lezhës, për ata nxënës që kanë prije në artin muzikor, duke përzgjedhur talente të reja”. Gjithashtu, sipas një udhëzimi të Ministres së Arsimit dhe Sportit, znj.Lindita Nikolla  fëmijët në nevojë, ata romë dhe egjiptianë, që nuk kanë mundësi financiare, do të pajisen me libra falas. “Një kujdes i veçantë ky për trajtim të barabartë e për integrimin e tyre në edukim dhe në shoqëri. Tekstet shkollore për nxënësit kanë ardhur dhe vazhdon shpërndarja  e tyre normalisht, në mënyrë që të gjithë nxënësit e të gjitha klasave e shkollave të paisen me tekste mësimore , për të filluar mbarë këtë vit shkollor”,- , thekson drejtori i DAR Lezhë, Bardhok Pulaj.

Jak Rrozhani

SHKARKO APP