Bardhyl Reso: Berisha kërkon votën e Tiranës, kryeqytetit që pushtoi si barbar!
Bardhyl Reso i ftuar në emisionin “Shqip” nga Rudina Xhunga në Dritare Tv kujtoi përplasjen me Sali Berishën në 1991-shin, për njerëzit që vinin nga zonat rurale, dhe zaptonin toka në Tiranë. Reso u shpreh se, Berisha lejoi të zaptoheshin tokat në Kamëz, Bathore, Babrru, Paskuqan, një pjesë e të cilave ishin me pronarë, me qëllim që të siguronte vota. Berisha tani propozon Belind Këlliçin për Tiranën, por a mund ta harrojë Shqipëria çfarë i bëri Tiranës, ky barbar, thotë Reso.
“Kur kalojë nga një qytet në tjetrin për punë, ti humbisje pasaportizimin në vendin ku ishe. Para 1990-ës nuk mund të shkoje në një qytet tjetër, por veç me pasaportizimin. Nuk bëhej fjalë veç për Tiranën, por edhe për qytete të tjera të mëdha. Nëse ishe nga një fshat ose qytet tjetër i vogël, nuk mund të shkoje në Durrës.
Këtë diskutim e kemi bërë me Sali Berishën që në 1991-shin. Kur unë i thashë që po vijnë njerëzit në Tiranë, po zaptojnë tokat. Ai m’u përgjigj se tokat janë të shtetit. Saliu kujtonte se fermat ose kooperativat, ishin toka shteti në Tiranë. Edhe tërë Bathoren, tërë Kamzën, pse e zunë? Se në Kamëz e kishte blerë një pjesë te atyre tokave një kompani italiane edhe i kishte paguar shtetit shqiptar paratë për ato toka që kishte blerë. Mbaroi lufta, ato kaluan në favor të shtetit përsëri, kurse pjesa tjetër ishte e pronarëve. Shumë familje të mëdha të Tiranës, Toptanasit, Petrelat, edhe të tjera i kishin pronat në Paskuqan, Kamëz, në Rinas, në Babrru etj.
I thashë Berishës se ato janë toka me pronarë, përveç fermës se Kamzës që e mori shteti pasi iku Italia. Erdhën i vunë tabelën “Tokë e zanun”. Ndërsa Berisha më tha: “Ne po na lejojnë të lëvizim nëpër Evropë, pse ne mos lëvizim brenda Shqipërisë?” Në Evropë shkojnë, po a ka zënë njeri ndonjë copë tokë atje? Me një fjalë goje u krijua kaosi.
E vendosi PD-ja se duheshin vota dhe Sali Berisha donte vota të sigurta. Dhe këto vota i merrte vetëm me njerëzit që po vinin. Nuk donte t’ia dinte njeri se po braktiseshin zonat e tjera. U sulën të gjithë për të vjedhur, për të shkatërruar edhe kjo stimulohej nga njerëzit e PD-së. Këta të lidhur me forcat e huaja greke dhe serbe, por edhe nga njerëz me një vizion fshataresk, një njeriu që s’ka parë gjë me sy filluan të sulen të rrëmbejnë çdo gjë.”, tha Reso.