Bariu e vret në Munellë pa e ditur ç’ishte rrëqebulli, një nga 5-6 speciet e Ballkanit

 

Një këlysh rrëqebulli është vrarë në malin e Munellës, Pukë dhe rasti është raportuar në Shoqatën për Mbrojtjen dhe Ruajtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA).

Autori rezulton të jetë një bari i zonës, në moshë të re, i cili e ka vrarë rrëqebullin me gurë, pa e ditur se çfarë kafshe ishte. PPNEA raporton se kjo vrasje është një lajm i keq, duke ditur së popullata totale e rrëqebullit të Ballkanit në malin e Munellës, llogaritet të jetë 4-6 individë të rritur.

“Rrëqebulli i Ballkanit është një specie kyçe për mbrojtjen e trashëgimisë natyrore dhe sidomos ekosistemit në të gjithë Ballkanin Jugperëndimor. Popullata e tij totale llogaritet të jetë në me pak se 40 individë dhe humbja e një kafshe të vetme është një lajm shumë i keq për mbijetesën e species”, thuhet në njoftimin shoqatës.

Sipas  kritereve të Listës së Kuqe të IUCN-s, rrëqebulli i Ballkanit konsiderohet si një specie e rrezikuar në mënyre kritike (CR). Në Shqipëri, rrëqebulli është i mbrojtur me ligj që prej vitit 1969. Së fundmi, kuadri ligjor është përmirësuar me Ligjin Nr. 10253, datë 11.03.2010 “Për gjuetinë” dhe Ligji Nr. 7/2014, “Për shpalljen e ndalimit të gjuetisë në Republikën e Shqipërisë”.

SHKARKO APP