Basha: 13 Qershori është testi i parë pas masakrës zgjedhore. Do bindim aleatët tanë për 25 prillin

Kreu aktual i Partisë Demokratike, Lulzim Basha këtë të diel ndodhet në qarkun e Elbasanit, ku po zhvillon takime me strukturat. Në fjalën e tij, ai tha se 13 qershori është testi i parë pas masakrës zgjedhore së 25 prillit. Më 13 qershor mbahen zgjedhjet për kreun e PD-së, ku në garë janë katër kandidatë, në mesin e tyre edhe kreu Basha.

“Ndaj, ndodhem sot këtu për t’ju kërkuar që ta përdorim 13 Qershorin si një mundësi të artë për t’i treguar shqiptarëve dhe botës se jemi në këmbë, se jemi dhe mbetemi familja e vetme politike e vlerave. Është testi i parë pas 25 prillit, pas masakrës zgjedhore për forcën tonë që do ta tregojmë përmes pjesëmarrjes masive në garën e brendshme të 13 Qershorit”, tha mes të tjerash Lulzim Basha.

Po ashtu ai u shpreh se do të bindë aleatët për këto zgjedhje për të rikthyer demokracinë e vërtetë në Shqipëri.

“Do të luftoj ditë e natë për zhbërjen e kësaj masakre dhe për të bindur aleatët tanë për një platformë për kthimin e legjitimitetit dhe demokracisë në vend. Thënë kjo, nuk mund të pranoj dorën e autorit të kësaj masakre që shtrihet gjoja për bashkëpunim pa kushte ndërkohë që dora e tij e zgjatur godet në Elbasan dhe kudo në Shqipëri demokratet dhe demokratët duke i kërcënuar dhe duke i hequr nga puna, duke I transferuar, duke i mbyllur bizneset në këto momente që flasim, vetëm e vetëm sepse kanë bërë fushatë për kundërshtarin e tyre politik”, tha Basha.

SHKARKO APP