Basha apel qytetarëve: Kam nevojë për ndihmën tuaj

“Bashkimi ynë është për ndryshim, ku do të fitojë Shqipëria dhe çdo shqiptar. Ne jemi ekipi i fitores dhe ndryshimit”. Me këto fjalë kreu demokrat Lulzim Basha iu drejtua mbështetësve të tij në sheshin “Nënë Tereza” në çeljen e fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 prillit. Ai tha se pas 25 prillit do të hapet një faqe e re për vendin për zhvillimin, punësimin dhe mirëqenien duke i dhënë fund tranzicionit.

“Më shumë se kurrë duhet të vendosim krenarinë tonë kombëtare se duhet të ndalojmë një orë e më parë këtë varfërim e zbrasje që po i ndodh Shqipërisë. Nënat e motrat tona nuk duhet të kërrusen nga dhimbja që shkakton braktisja e vatrës së familjes. Shqipëria ka qenë kryelartë dhe ne jemi sot si përgjigje për të ndalur dorën që zhvatin pasurinë, vret shpresën e shqiptarëve dhe kërkon të mbjellë frikën te bashkatdhetarët tanë. Është një rrugëtim i vështirë për ne e kryejmë me përgjegjësi se jemi të vetëdijshëm se puna jonë është përkushtim e sakrificë për vendin, shqiptarët e kombin. Se po shkulim e çrrënjosim një kastë dhe një të keqe që ka vendosur të pasurohet. Po luftojmë kundër një grushti njerëzish. Janë gati të bëjnë gjithçka për karriget e tyre”.

Atyre që u ka humbur besimi se ky vend mund të bëhet, Basha u thotë se shqiptarët meritojnë më shumë. Sipas tij në çdo cep të Shqipërisë ku ka shkuar, të gjithë duan ndryshimin. Ai u bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen për ndryshimin, ndërsa atyre që kërkojnë të largohen u tha që të qëndrojnë për të luftuar me të. Ndërsa detyra madhore e tij është futja e Shqipërisë në BE.

”Thirrja ime është për ty që kërkon mundësi për të ikur nga ky vend; Mos ik qëndro lufto me mua, lufto me ne. Ky vend mund të bëhet dhe ti do ta ndërtosh jetën tënde këtu. Detyra ime e parë madhore është futja e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Bashkohuni për ndryshimin. Unë kam nevojë për ndihmën tuaj. Pa ju, planet më serioze shndërrohen në pluhur. Të qëndrojmë bashkë, të bindim këdo, se po punojmë për të sjellë ndryshim të thellë. Bashkë për ndryshim, Shqipëria fiton. Kam nevojë për ju, për ndihmën dhe forcën tuaj. Bashkohuni në përpjekjet e fundit për ndryshim. I nderuar për misionin e lartë që më keni besuar. Së bashku do të fitojmë, Shqipëria do të fitojë”,-tha më tej Basha.

SHKARKO APP