Basha: Do rrisim pensionet, ulim çmimin e energjisë dhe të karburantit
Këtë të enjte, Partia Demokratike po prezanton planin ekononik për zgjedhjet e 25 prillit. Kreu Lulzim Basha ka premtuar që do të rrisë pensionet me të paktën dyfishin e normës së inflacionit dhe në çdo rast jo më pak se 5% në vit. Sipas tij, ky është një trajtim dinjitoz i pensionistëve.
”Angazhohem se do të risim pensionet me të paktën dyfishin e normës së inflacionit dhe në çdo rast jo më pak se 5% në vit me synimin që në fund të mandatit tonë të parë pensionet mesatare shqiptare të kenë kaluar pensionet mesatare të rajonit. Kudo në Shqipëri takoj njerëz, bashkëmoshatarë apo më të rinj që ndajnë të njëjtën brengë, pamundësinë e prindërve pensionistë për të mbyllur muajin. Kush nuk e di këtë brengë, kush nuk e njeh këtë brengë. Edhe ata që mundohen ta fshehin duke kontribuar nga të ardhurat e veta të pakta , qindra e mijëra prej vëllezërve e motrave, kushërinjve që kemi në emigracion që janë shpresa e vetme, filli i vetëm që i mban prindërit e tyre pensionistë në këmbë. Boll më! Boll më! Ka ardhur koha t’ju garantojmë që të moshuarit tanë të jetojnë me respektin dhe dinjitetin që meritojnë. Dhe ne do të garantojmë që të moshuarit tanë të jetojnë me respekt, që tu plotësohen nevojat bazë, që çdo gjyshe dhe çdo gjysh të jetë i sigurt dhe të ketë vendin e vetë në shoqërinë tonë”, tha kryedemokrati.
Një tjetër pikë e programit elektoral i Bashës është edhe ulja e çmimit të karburantit dhe energjisë elektrike. ”Angazhohem të ul çmimin e energjisë elektrike dhe çmimin e karburante, çka padyshim do të ndihmojë jo vetëm klimën e biznesit por dhe familjet shqiptare. Do t’ju vijmë në ndihmë të gjitha familjeve shqiptare dhe sidomos çifteve të reja pa përjashtuar askënd”, tha Basha.