Basha: Duan t’i shoh në sy të gjithë infermierët, mësuesit e punonjësit e administratës që ua kanë nxirë jetën, mos kini frikë nga ndryshimi
Në një intervistë në emisionin “Përballë”, me gazetarin Lutfi Dervishi në TVSH, Kryedemokrati Lulzim Basha deklaroi se ka një grusht njerëzish që duan ta mbajnë Shqipërinë kështu siç është, të lodhur e të pashpresë. Por, tha ai, shqiptarët e kanë marrë vendimin dhe do ta materializojnë më 25 prill.
“Duan t’i shoh në sy të gjithë infermierët, mësuesit e punonjësit e administratës që ua kanë nxirë jetën, nuk duhet të keni frikë nga ndryshimi. Ne do të rrisim paga tuaja, do të përmirësojmë kushtet në spitale e shkolla”, tha Basha.
Lutfi Dervishi: Fiton zgjedhjet sipas jush?
Lulzim Basha: Zgjedhjet e 25 prillit i takojnë shqiptarëve. Ka një grusht që duan ta mbajnë Shqipërinë kështu siç është, ku është të varfër, të pashpresë, të lodhur, të pavendosur, plot dyshime dhe gati për tu larguar nga vendi, siç tregojnë sondazhet 70 shqiptarë po t’ju jepet mundësia e lënë Shqipërinë. 95 në 100 studentë jashtë nuk duan të kthehen në Shqipëri. Kjo është status cuo-ja që ju leverdis një grupi njerëzish, të cilët sot e konsiderojnë veten e tyre zot të gjithçkaje, të naftës, të bregdetit, të buxhetit, të tenderëve, të tokave, të pyjeve, të kullotave, të gjuetisë, të peshkut, të mishit, të eksportit, të importit. Pra një grusht njerëzish, një pakicë absolute kërcënon se do të marrë peng edhe katër vjet të tjera Shqipërinë dhe simbol i kësaj është një njeri që katër vite me radhë ka patur pushtet më shumë se çdokush në këto 30 vite, madje se çdokush që në kohen e Enver Hoxha dhe sot nuk ka një bilanc për të dalë para shqiptarëve. Bredh nga jugu në veri, merret gjithë ditën me opozitën, merret me programin tonë, merret me mua personalisht, çfarë kam veshur, si jam veshur, sa piper i hedh gjellës vetëm e vetëm mos t’i japi përgjigje të vetmes pyetje që duhet t’i jepte përgjigje pas 8 vjetësh kryeministër. Çfarë bëre me programet, me planet dhe me premtimet e tua? Ku i ke 300 mijë vendet e punës? Ku e ke shëndetësinë falas? Ta zbuloi pandemia se në çfarë gjendje është .Ku e ke uljen e taksave për 97% të shqiptarëve? Dhe shumë e shumë premtime të tjera se nuk kam ndër mend të zgjatem. Për ta kolauduar, është fare e qartë se zgjedhjet janë të shqiptarëve dhe zgjidhjet do të jenë për shqiptarët. Zgjedhja është fare e qartë, të qëndrojmë edhe 4 vite kështu siç jemi, që është fatale për ne, është fatale për rrugëtimin tonë drejt Europës që në fakt është garancia e vetme për një stabilitet ekonomik, financiar dhe demokratik të vendit dhe të familjeve shqiptare. Dhe rruga e vetme për të ndryshuar është largimi i Edi Ramës. Nuk mund të ndryshojë Shqipëria dhe këtë e di tashmë edhe kupola më e lartë socialiste. Pa u larguar Edi Rama nuk ka dhe nuk mund të ketë as idenë më të vogël që do të ndryshojë diçka, gjërat do të mbeten siç janë dhe do të shkojnë më keq për shqiptarët.