Basha: Edi Sudja ka ngritur piramidën më të madhe të mashtrimeve

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është ndalur ditën e sotme në Kukës për të zhvilluar një takim elektoral me banorët e këtij qyteti. Nga Kukësi, kreu i PD ka akuzuar kryeministrin Rama se i ka mashtruar shqiptarët duke mos i mbajtur premtimet.

“Nga Kukësi i them Edi Sudes se ka ngritur piramidën më të madhe të mashtrimeve në vend. Çfarë të pengon të ulësh taksat, të ulësh çmimin e energjisë, të naftës. Çfarë të pengosh të bësh më të lirë bukën për shqiptarët. Pse nuk iu përgjigje amendamenteve tona. Pse nuk e bashkon zërin tënd me zërin tim për t’iu ofruar zgjidhje shqiptarëve. S’e bën sepse hallet tuaja nuk janë ato të Ramës e Metës. Hallet e dyshes Rama-­Meta nuk është pamundësia e shqiptarëve. Sillen vërdallë në Shqipëri se i ka zënë paniku, jo për hallet tuaja, por për pushtetin e tyre”, tha Basha.

Ndërsa duke akuzuar dyshen Rama-­Meta se kanë rritur taksat dhe çmimet, Basha tha se situata ekonomike në vend është vështirësuar. Sipas kreut të PD, Meta dhe Rama nuk mbajtën premtimet, duke shkaktuar pakënaqësi dhe varfëri, gjë që sipas tij po i shtyn qytetarët të largohen nga vendi.

“Nuk kanë mbajtur asnjë premtim. Thanë se do ulnin çmimet, por ka ndodhur e kundërta, faturat e nergjisë janë dyfishuar, taksat janë rritur, çmimi i energjisë është rritur. Është shtrënguar laku në fytin e shqiptarëve. E tani bëjnë çdo gjë për t’iu shmangur ballafaqimit me ju. Flasin shumë por nuk thonë asgjë për papunësinë e rritur, për çmimet e larta, për premtimet e pambajtura. Hasan Meta pasi shpërdoroi në skema korruptive besimin tuaj, ndryshoi xhaketën dhe u fut në strehën e maskarenjve për të kërkuar mbështetje në favor të ndereve politike. Hasan Meta nuk mund të jetë zgjidhje për problemet tuaja, por është problemi juaj”, tha Basha.

SHKARKO APP