Basha: “Kryeministri ,të inkriminuarit nga shteti tani po i çon në PS”. Dhe emrat, sipas PD

 

Lideri i Opozitës Lulzim Basha sot ka akuzuar kryeministrin Rama se, pas ligjit të miratuar mbrëmë në Kuvend, po u gjen punë të re të inkriminuarve. Nga puna në shtet, Edi Rama po i transferon në poste partiake personat e inkriminuar, sipas Lulzim Bashës. Kreu i opozitës tregoi disa prej degëve të PS që sipas tij, janë kapur nga persona me precedent të tmerrshëm kriminalë.

“Persona të dënuar me preçedente të tmerrshem kriminalë, diktojnë ose kanë marrë në dorë Partinë Socialiste në Lezhë, Shkodër, Malësi të Madhe, Krujë, Fushë- Krujë, Kurbin, Has, Fushë Arrëz, Pukë e Mirdite, Kavajë, Lushnjë, Divjakë, Tepelenë e Këlcyrë dhe me gjasë Edi Rama ka ndërmend ta shrijë në të gjithë vendin. Kjo dëshmon se ai nuk ndahet dot nga krimi, se pakti me krimin vazhdon. Inkriminimi i Partisë është njësoj i dëmshëm, promovimi i bandidtëve, vrasësve, trafikantëve është garanci se ai stan atë bulmet do të nxjerrë. Është e qartë se kjo është metoda e Edi Ramës, kalkulimi i tij për zgjedhjet e ardhshme.” tha Basha.  

Sipas tij, e gjitha është një strategji e Edi Ramës për të fituar me anë të dhunës, zgjedhjet e ardhshme.

“E vetmja shpresë që ka, është se me banditët kriminelët që po transferon në parti, pasi ligji për dekriminalizmin I nxjerr jashtë qeverisjes të kapë dhunojë e manipulojë zgjedhjet.” u shpreh kreu I PD gjatë një konference për shtyp. 

 

Po cilët janë kryebashkiakët që mund të lenë postin sipas PD?

Me miratimin e ligjit për dekriminalizimin, me konsensusin e të gjitha palëve, “çështja Roshi” duket se do të jetë e para me të cilën do të përballet politika. A do t’i ndërpritet atij mandati siç parashikon ligji i miratuar të enjten, i shoqëruar me ndryshimet kushtetuese?

Ligji parashikon që në nenin 1 se “qëllimi është të garantojë besimin e publikut në funksionimin e organeve të zgjedhura shtetërore, institucioneve të pavarura dhe atyre të krijuar me ligj, të administratës publike, nëpërmjet pengimit të zgjedhjes ose emërimit në to, apo largimi nga fukskoni publik, të personave të cilët janë dënuar apo ndaj të cilëve janë marrë masa sigurie ose janë dënuar me vendim jopërfundimtar për kryerjen e krimeve sipas këtij ligji”.

Thënë më thjesht, kush rezulton i dënuar për ndonjë vepër penale, do të duhet ta lërë mandatin, qoftë deputet, i zgjedhur vendor apo i emëruar në administratë.

Një tjetër kryetar bashkie rrezikon ta humbasë mandatin. Xhelal Mziu, i rizgjedhur në Bashkinë e Kamzës, u dënua më 10 prill të këtij viti me dy muaj burg për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera.

Thuajse aq herë që mazhoranca është akuzuar se po kandidonte persona të inkriminuar në zgjedhjet vendore, ajo ka përdorur si kundërargument “çështjen Mziu”. Mziu e ka apeluar çështjen, por ligji për dekriminalizimin e përcakton qartë rastin e tij në nenin 1 të cituar më sipër. Mbarimi i mandatit të Mziut dhe Roshit, sipas ligjit për dekriminalizmin do t'i çonte dy bashkitë e Qarkut të Tiranës sërish në zgjedhje. 

Të tjerë kryebashkiakë janë akuzuar si persona me të shkuar kriminale. PD ka përmendur rastin e Artur Bushit, për të cilin ka thënë se ka qenë i arrestuar në Itali si anëtar i një bande të trafikut të drogës. Ish –deputeti i PS, që e la mandatin për t’u zgjedhur në krye të Bashkisë së Krujës, ka paraqitur një vendim të autoriteteve italiane për të provuar se nuk rezulton i dënuar ndonjëherë.

Veç të zgjedhurve që figurojnë të dënuar, në betejën e saj për dekriminalizimin PD ka paraqitur edhe dosje të disa personave të tjerë të emëruar në polici dhe administratë që figurojnë të dënuar brenda apo jashtë vendit, shkruan lapsi.

Pritet që edhe ata të bëhen pjesë e këtij ligji, me dorëheqje ose largime nga detyra.

 

SHKARKO APP