Basha mban Komisionet Parlamentare për PD, s’ka ndarje pushteti me LSI

Lulzim Basha nuk kërkon të ndajë pushtetin e opozitës me LSI-në. Tre nga tetë Komisionet e Përhershme Parlamentare i drejton opozita. Ndryshe nga viti 2017 kur PD-ja e la komisionin për Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë nën drejtimin e LSI-së, këtë herë gjërat janë ndryshe. Basha ka rezervuar për PD-në të tre Komisionet, Shëndetësinë, Integrimin dhe Median.

Agron Gjekmarkaj do të drejtojë Komisionin për Arsimin dhe mjetet e Informimit Publik, ndërsa Jorida Tabaku do të zëvendësojë ish-deputetin e PD-së, Genc Pollo në krye të Komisionit të Integrimit. Albana Vokshi do të jetë kryesuese e komisionit të Shëndetësisë që e ka drejtuar edhe në vitet 2013-2017.

Jeta parlamentare e LSI-së është e varur nga bashkëpunimi me PD-në, pasi forca e tretë parlamentare nuk ka numrat e nevojshëm në sallë për të formuar grupin e saj parlamentar dhe procedurialisht i duhen tre deputetë të tjerë në mënyrë që të bëhet pjesë e organeve më të larta të Kuvendit. /A2cnn/

SHKARKO APP