Basha me të rinjtë në Kukës: Mos ikni në Angli se do ta qërrojmë atë që do të zbrasë Shqipërinë

Lulzim Basha në Kukës

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha nga Kukësi premtoi që kur demokratët do të vijnë në pushtet do të heqë taksën e kombit, teksa ripërsëriti kërkesën për zgjedhje të parakohshme. Kryedemokrati është ndalur në një bashkëbisedim me qytetarët, ku ka premtuar se do të përmirësojë vendin në mënyrë që të rinjtë të mos largohen.

“Rama të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme dhe t’i lërë të lirë qytetarët që të zgjedhin. Jo vetëm PD-ja, por e gjithë Shqipëria i ka borxh Kukësit. Është qyteti më i diskriminuar, por është vendi që i jep dritën jeshile, prodhon të gjithë energjinë e Shqipërisë. Asnjë tra, asnjë pengesë nuk do të ketë. Do të keni vetëm lehtësira dhe mundësi, por në fillim duhet të fitojmë betejën që sapo ka nisur”, tha Basha.

Ai e mbylli me një ftesë për të rinjtë kuksianë, që të mos emigrojnë drejt Anglisë, siç një pjesë e madhe e të rinjve duke u premtuar se do ta “qërrojnë atë që po detyron shqiptarët të largohen”, referuar këtu kryeministrit Edi Rama.

“Mos u largoni drejt Anglisë, atë që do të zbrasë Shqipërisë do ta qërrojmë. Nuk do ta lejojmë Shqipërinë që të zbraset nga ky brez i mrekullueshëm. Edhe çështjen e universitetit do ta kemi në plan, ashtu si dhe në zonat e tjera ku janë mbyllur universitetet”, përfundoi Basha.

SHKARKO APP