Basha në Katund të Ri: Rama të ndalë spektaklin me vdekjen

Në Katundin e Ri, pjesë e Bashkisë së Durrësit, dëmet në pallate dhe shtëpi private janë të mëdha, por edhe bashkia, edhe qeveria janë inekzistente. Banorët i treguan të revoltuar kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, se askush nuk do t’ia dijë për ta, megjithëse pallati i tyre me dhjetëra familje rezulton zyrtarisht i pabanueshëm. “Akt konstatimi, 2 dhjetor, pallat i pabanueshëm nga rënia e tërmetit, firmosur nga Zhyljen Varfaj”,- lexoi zoti Basha dokumentin zyrtar që i tregojnë banorët, të cilët pohojnë se nuk kanë marrë as bonuse për qeranë, as çadra për strehim. “U bënë kaq ditë nuk erdhi kush të na thotë ku banoni, a jetohet aty. Deri tani është strehuar vetëm 1 familje nga 1 shoqatë fetare.”- thanë banorët, duke pohuar se kanë nisur të futen sërish brenda në pallat dhe në shtëpi të dëmtuara, por të pacertifikuara për shkak të pamundësisë për të qëndruar në të ftohtë dhe shi.

Dukë u kërkuar banorëve të mos vënë në rrezik jetën, zoti Basha vuri në dukje se një sjellje e tillë e papërgjegjshme nga ana e qeverisë dhe bashkisë, mund të çojë në përsëritjen e tragjedisë së Thumanës. “Porosia ime si bashkëqytetar është mos u fusni në objekte të cilat nuk kanë certifikim. E kam parë me sytë e mi se çfarë ndodhi në Thumanë. Ajo që ndodhi në Thumanë ishte plotësisht e shmangshme. Nëse shteti do të kishte bërë detyrën e vet dhe do t’u kishte thënë atyre banorëve “mos u fusni”, ata 24 njerëz nuk do të ishin nën tokë. “- u shpreh Basha i shqetësuar nga situata e krijuar në katundin e Ri për shkak të neglizhencës dhe dështimit të qeverisë për të strehuar banorët.

“Duhet patjetër që çdokush të strehohet. Edhe verë po të ishte jo më në dimër është detyrë e shtetit të strehojë personat që kanë mbetur pa strehë. Jo vetëm që është prishur e rrënuar shtëpia, por edhe ata të cilët shtëpia u është konsideruar e rrezikshme dhe nuk u është dhënë akoma çertifikata e sigurisë. Por që të ndodhë kjo, gjëja e parë që duhet të ndodhë është që shteti të caktojë para’, prandaj është shpallur gjendja e emergjencës. Jo që të bëjë pelivanin nëpër Shqipëri, por të caktojë para dhe me ato para të merret banesa me qera dhe u jepet familjeve që kanë nevojë. Ai që ka në dorë sot buxhetin dhe vendimet, një gjë duhet të bëjë, të ndalë spektaklin mbi vdekjen, sepse ka filluar të bëjë spektakël me vdekjen, dhe t’u vijë në ndihmë njerëzve.”- tha Basha.

Në Katundin e Ri ka edhe një arsye tjetër pse banorët janë të revoltuar me qeverinë. Ata dëshmuan se që pas tërmetit, jetojnë me 2 orë drita në ditë, pasi energjia elektrike u ndërpritet sapo bie nata. “Jemi kthyer në kohën e qiriut”-tha një banor, ndërsa një tjetër, duke ngritur zërin tregoi se i paguante të gjitha taksat dhe faturat dhe nuk meritonte që ai dhe familja e tij të ndëshkohen pa arsye.

SHKARKO APP