Basha në Kuvend: Po godisni prodhimin vendas dhe po favorizoni oligarkët

Kreu i PD, Lulzim Basha, në fjalën e tij në Kuvend ka thënë se pavarësisht deklarimeve të qeverisë, buxheti për bujqësinë do të jetë më i ulët se ai i vitit të kaluar, ndërsa favorizon direkt oligarkët.

“Ndërsa këtu pseudomazhoranca bëhet gati të votojë sy mbyllur për mënyrën se si do të shpenzohen taksat e qytetarëve vitin e ardhshëm dhe ato në vijim, përfaqësuesit e fermerëve që përfaqësojnë 40% të të punësuarve në Shqipëri, kanë harxhuar para nga xhepat e tyre për të udhëtuar drejt Tiranës, që t’u dëgjohet zëri.

Mos t’u shkelet sakrifica, mos t’u hidhet tutje mundi, t’u respektohet vështirësia që kanë për të bërë punën e tyre, për të nxjerrë bukën e gojës, për të shkolluar fëmijët, për t’i dhënë këtij vendi 20% të prodhimit të brendshëm bruto.

Shifër kjo më e larta në rajon dhe në Europë, që tregon se sa peshë ka bujqësia në ekonominë tonë, e që vetëm për këtë arsye duhet të dëgjohen përpara se të ngrihen kartonat, me sytë e veshët mbyllur.

Janë njerëz që vetëm japin, vetëm kontribojnë, dhe në këmbim nuk marrin asgjë, krahasuar me kolegët e tyre në rajon, pa përfshirë fare Europën. Sepse arkat e shtetit që ata vetëm i mbushin me taksa të larta të dretjpërdrejta e të fshehura, ky kryeministër dhe ministrat e tij i zbrazin pa teklif.

Aq të papërfillshëm janë këta qytetarë për ju, që gdhihen dhe ngrysen me shqetësimin e të nesërmes, me ankthin e konkurrueshmërisë së produkteve të tyre, me pamundësinë për t’u përballur me produktet e rajonit që subvencionohen shumë herë më shumë se këtu, saqë jo vetëm nuk i dëgjoni, por i ofendoni me teatrin që ngjallë krupën, ku përdorni edhe gaztorët e oborrit tuaj, që nginjen nga koncesionet dhe syshkeljet tuaj, që i kanë shndërruar në oligarkë arrogantë.

Dhe përsëri, fatkeqësisht kontrasti midis asaj që deklaroni dhe asaj që bëni është shumë i qartë, dhe shihet në zemëratën e atyre burrave dhe grave që mblidhen pak metra nga kjo ngrehinë, sepse janë përpara Parlamentit të vendit më bujqësor në Europë, ku bujqësia ka një impakt prej 20% në prodhimin e brendshëm, dhe jep mbështetjen më të vogël në Europë për fermerët”, tha Basha.

SHKARKO APP