Basha në Murriqan, fushatë për t’i thënë ‘stop’ azilit

Zgjodhi “Ditën e Europës” për t’i bërë thirrje Shqiptarëve të mos braktisin vendin e tyre, pasi rruga e zgjidhjes nuk është eksodi por largimi i kësaj qeverie që ka zhytur vendin në mjerim. Kryedemokrati Lulzim Basha nga zona kufitare e Muriqanit në Shkoder, përpara të rinjve të forumit rinor demokrat të këtij qytetit dhe përkrah kandidates për bashkinë Shkoder Voltana Ademi ftoi Shqiptarët që me 21 Qershor t’i japin kësaj qeverie një përgjigje plebishitare.

I ashpër Basha ishte edhe ndaj shpenzimeve që ai i cilësoi marramendëse nga kjo mazhorancë për fushatën elektorale dhe prezantimin e kandidatëve. Në këtë pikë kryetari i selisë blu atakoi edhe sloganin “Drejtim i Duhur”, i përzgjedhur për fushatën nga PS- LSI.

"Dje në opozitë, ashtu edhe sot në qeveri, theksoi zoti Basha, rruga drejt Europës ka një pengesë dhe ai është Edi Rama. Kjo është një këmbanë alarmi për të gjithë, për të gjithë shqiptarët, që të bashkohemi për të gjetur rrugëzgjidhjen e duhur siç e thoni ju, siç e keni shkruajtur këtu: Rruga e zgjidhjes nuk është largimi i qytetarëve por është largimi i qeverisë së papërgjegjshme që e ka kredhur Shqipërinë në mjerim, i ka asgjësuar shpresën dhe po u vret dinjitetin ditë për ditë shqiptarëve", tha ai.

Duke mos mohuar arritjet e vendit në këto vite, e specifikisht ato të drejtuara nga demokratët, Basha premtoi se pas 21 Qershorit të zgjedhurit e PD-së do të drejtojnë bashkitë e vendit sipas modelit europian. Ai kishte edhe një mesazh të fundit për 2 liderit e mazhorancës dhe kandidaten e tyre për bashkinë.

Më pas edhe kandidatja Ademi ftoi bashkëqytetarët e saj të bëhen pjesë e drejtimit së bashku të bashkisë Shkoder sipas modelit që duam. Takimi i organizuar nga të rinjtë demokrat kishte si synim që në ditën e Europës t’i thotë ndal eksodit masiv që ka prekur vendin, pasi shpresa jeton ende dhe ajo mund të vijë përmes votës ndaj PD-së.

SHKARKO APP