Basha në Velipojë: Qeveria jonë do të luftojë krimin, do ulë taksat dhe anulojë koncesionet
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, vizitoi sot Velipojën ku u njoh me gjendjen e rëndë të biznesit, rënien e madhe të blerjeve nga qytetarët dhe numrin shumë të ulët të pushuesve. Kreu i opozitës u shpreh se çështja e turizmit, heqja e pengesave për të do të jetë një nga temat kryesore në takimin e pritshëm me kryeministrin e Kosovës, Abdullah Hoti. “Natyrisht, pengesat më të mëdha janë në këtë anë, po, në çdo rast, të bëjmë të mundur që qytetarët nga Kosova ta kenë sa më të lehtë për të ardhur në plazhet e Shqipërisë”,- tha Basha, i cili theksoi 2 të këqijat më të mëdha për turizmin tani, përveç frikës nga koronavirusi.
“Ka viruse të tjera që duhen larguar. Për të udhëtuar nga Kosova në Shqipëri ka dy pengesa të mëdha, çmimi i naftës që është më i lartë se në Kosovë dhe taksa e Rrugës së Kombit. Këto janë dy çeshtjet që sot, ndoshta, nuk zgjidhen dot, po nesër, në qeverisjen tonë do të zgjidhen. 240 lekë taksa që është vendosur mbi karburantin gjatë këtyre 7 viteve do të hiqet dhe taksa e Rrugës së Kombit do të hiqet, siç e kam premtuar. Kjo, pa diskutim, që do ta ulë dhe koston për turistët nga Kosova, do të bëjë të mundur që më shumë qytetarë të Kosovës t’i drejtohen bukurive të plazheve të Velipojës, plazheve të Shëngjinit dhe plazheve të tjera të Shqipërisë, në Sarandë, Dhermi e kudo”,- tha zoti Basha.
Kreu i opozitës vizitoi edhe zonën e shkatërruar nga fadromat pak ditë më parë, kryesisht biznese të vogla që punonin në kohën e sezonit turistik. Qytetarët u shprehen të revoltuar për trajtimin diskriminues nga qeveria, e cila godet ata që nuk kanë mbështetje dhe mbron biznese me të ardhura të dyshimta.
Kreu i PD-së ishte dhe në zonë ku pak ditë më parë u shembën disa biznese turistike nga institucionet e qeverisë. “Padiskutim që këtu prapë ka interesa korruptive, interesa korruptive, sepse edhe goditja është bërë selektive, është bërë selektive për të favorizuar një grup njerëzish. Dihet që Velipoja prej kohësh vuan nga thundra e krimit të organizuar, njerëz që vendosin se kush merr lejet e ndërtimit, kujt duhet t’i prishet prona që të lirohet toka, që t’i marrin ata prapë lejet e ndërtimit, emra të njohur tashmë jo thjesht për Policinë Shqiptare që rri duarkryq e nuk i prek dot se janë ortakë politikë të pushtetarëve, të partisë në pushtet në Shkodër dhe në Tiranë, por emra të njohur edhe për Europolin edhe për Interpolin”,- tha kreu i PD-së, Lulzim Basha.
Basha u shpreh se qeveria që ai do të drejtojë pas zgjedhjeve do të ketë fokus kryesor goditjen e krimit dhe të oligarkëve që kanë përfituar nga lidhjet me pushtetin.
“Çdo vendim merret për të ndihmuar oligarkët dhe banditët. Pronat e tyre nuk preken, pasi aty pastrohen paratë e drogës, ata hanë e punë me pushtetin dhe ndajnë paratë, tenderat dhe koncesionet me pushtetin. Si kryeministër, me ndarjen totale nga krimi, me një ministër të brendshëm, të pastër nga lidhjet me krimin, gjëja e parë që do të vendosim është ligji dhe rendi njësoj për të gjithë. Krimi nuk do të diktojë më qeverinë”,– u shpreh kreu i PD-së.