Basha për letrën e Ramës: Propozon një dialog për të mos u marrë vesh

Një ditë pas takimit me komisionerin e Zgjerimit, Lulzim Basha ishte i ftuar në emisionin “Top Story”, në Top Channel. Kryetari i Partisë Demokratike flet për krizën tek Parku i Liqenit, krizën në Parlament, dekriminalizimin, pistoletën e Strazimirit, ofertën e Ramës, marrëveshjen e Amerikës që u prish në Tiranë, reformën në drejtësi dhe për programin e opozitës.

Sokol Balla: Le të flasim për letrën me të cilën i jeni përgjigjur zotit Rama. Është një përgjigje pozitive ndaj dialogut?

Lulzim Basha: Në fakt është letra e zotit Rama që është një përgjigje ndaj kërkesës sime për të nxjerrë vendin nga kriza politike dhe hapat që duhen ndërmarrë. Kemi humbur dy vite kohë që nga hera e parë që e kam bërë këtë kërkesë. Ka qenë qëllimi im për të bërë një politikë të re, ku kundërshtari politik mbetet, por dialogu politik ekziston pa zig zage, pa prekur shtyllat e parlamentarizmit dhe institucioneve të pavarura në vend, që do të thotë proces i menaxhuar për qytetarët dhe i kontrolluar nga qytetarët. Nga ajo ditë kemi pasur përdorim të pushtetit politik për një revansh kundër kushtetutës dhe shtetit ligjor, që e ka sjellë Shqipërinë në gjendjen ku jemi sot, kur çdo ditë del një lajm edhe më i zi. Kemi humbur 2 vite kohë dhe kjo ka patur një faturë jo për mua, por për qytetarët shqiptarë. Dialogu është dhe mbetet një vegël e patjetërsueshme, ndaj më mirë vonë se sa kurrë. Dialogu që kam propozuar unë nuk është fasadë, por dialog që të trajtojë problemet që hasin shqiptarët: varfërinë, krimin dhe korrupsionin, themelet e të cilëve gjenden në shkeljen e kushtetutës, të rregullave të shtetit ligjor dhe abuzimit me pushtetin. Pikërisht sepse janë shkelur garancitë kushtetutese. Dhe këtu kemi shumë probleme për të zgjidhur, dekriminalizimin, zgjedhjet e lira dhe të ndershme, pasi qeveria nuk mund t’i blejë votat ose t’i fitojë përmes kontigjentit kriminal, kemi reformën në drejtësi, që duhet t’i garantojë qytetarët shqiptarë se sistemi gjyqësor do të vendosë drejtësi për çështjet e tyre. Për zgjidhjen e këtyre problemeve ishte dhe kërkesa e opozitës. Kërkesa e Ramës është një përgjigje ndaj saj.

Sokol Balla: Por, më mirë vonë se kurrë…

Lulzim Basha: Problemi i vetëm i letrës së zotit Rama, që shpresoj të ketë qenë një lapsus…

Sokol Balla: Për emrin…

Lulzim Basha: Jo. Zoti Rama propozonte një dialog pa ndërkombëtarët për të mbajtur një dialog që të mos merremi vesh. Shqiptarët nuk kanë nevojë për këtë, që ne t’u themi ja ku jemi, por nuk merremi vesh. Kjo është shpërdorim i dialogut sepse delegjitimon një pjesë të avancimit të shoqërisë. Uroj që kjo të jetë një lapsus. Po të mos ishte lapsus do të ishte një tendencë e zotit Rama që nuk do t’u shërbente qytetarëve.

Sokol Balla: Duket se ju nuk keni lapsus në letrën tuaj, ku pas reformës në drejtësi i referoheni çështjeve të tjera, si ndryshimet kushtetuese, çfarë doni të thoni me këtë?

Lulzim Basha: Do të thotë që pushtetet e dhëna me kushtetutë nga sovrani nuk po ushtrohen ashtu siç duhet. Pushteti ka zaptuar Gjykatën Kushtetuese dhe nuk po përfill vendimet e saj. Kemi një vullnet të mbrapsht politik. Vendimet e Kushtetueses nuk janë diskutuar. Opozita “dy dele ka për të ruajtur”, Kushtetutën dhe shtetin ligjor dhe këtë duhet ta bëjë duke treguar vjedhjen e votave në Korçë, që u tregua nga Top Channel, vjedhja nga serveri i tatimeve dhe shkarkimeve të paligjshme në administratë, duke sjellë persona të inkriminuar. Për këto ne kërkuam komisione parlamentare dhe kushtetuta shprehet qartë për këtë. Por për të mbuluar këto skandale të mëdha, Edi Rama urdhëroi mazhorancën që të votonte kundër, duke e rrëzuar. Gjykata tha se ishte një vendim antikushtetues i mazhorancës, të cilës ne i kërkuam të kthehej në binarët e Kushtetutës, por u refuzua. U desh të vinin zyrtarët europianë në Shqipëri që të arrihej marrëveshja e 24 dhjetorit. Mazhoranca e vuri veten në pozitën e një kaçaku i kapur me plaçkë në dorë dhe që duhet të vinin Uashingtoni dhe Brukseli, që të thoshin zbato Kushtetutën. Veç kësaj janë dhe mandatet e 2 deputetëve.

Sokol Balla: Zonja Leskaj e çoi mandatin e saj në Kushtetuese…

Lulzim Basha: Kjo nuk varet nga zonja Leskaj. Të gjitha krizat këtu i bashkon një parim, që Rama e sheh veten mbi Kushtetutën. Edi Rama e ka vënë veten e tij dy herë mbi parimet e Kushtetutës, që janë të shenjta. Pse është e rëndësishme për shoqërinë tonë…

Sokol Balla: Për mua Kushtetuesja ka funksionuar gjithmonë shumë mirë. Ju e çoni çështjen, ajo merr vendimin…

Lulzim Basha: Por nuk zbatohet. Është në kushtet e një krimi kushtetues. Republika është e rënë. Kushtetuta është trau i shoqërisë demokratike.

Sokol Balla: Pa harruar që vendimet e Kushtetueses janë interpretime dhe ajo mund të lërë shtigje për interpretime. Zoti Rama e interpreton sipas tij vendimin.

Lulzim Basha: Jo, asnjëherë. E ke gabim. Nuk bëhet kështu sepse në këtë mënyrë mazhoranca mund ta zvarrisë vendimin interpretim pas interpretimi për 4 vjet sa ka mandatin. Zvarritjet vijnë pasi ata nuk dinë të dalin nga bataku ku kanë futur veten e tyre.

Sokol Balla: Atëherë sot në prokurori duhet të ishin tre veta. Të tre e kanë fituar gjyqin në Gjykatën Kushtetuese.

Lulzim Basha: Nuk është e njëjta gjë. Parlamenti është i paligjshëm, sepse nuk po bën atë që i kërkon populli, por mbron deputetët e saj. ne kërkuam zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese si në 2014 dhe tani dhe në të dyja rastet Rama ka refuzuar vendimet.

Sokol Balla: Në 2009 mazhoranca rrëzoi kërkesën e opozitës për të hetuar procesin zgjedhor…

Lulzim Basha: Më vjen shumë keq. Kushtetuta, Kodi Zgjedhor, Kolegji Zgjedhor dhe Gjykata Kushtetuese u shprehën qartë, që nuk ke të drejtë të bësh diçka që të ndalon ligji dhe vendimi i gjykatës, të pranuara këto nga vetë zoti Rama. ligjet po shkelen ditën për diell, natën për hënë nga ata që janë betuar para shqiptarëve për të mbrojtur ligjin. Prandaj Shqipëria numëron sot 300 mijë të larguar, ekonomi në reçesion dhe një pushtet që bashkëqeveris me krimin.

Sokol Balla: Keni pak faktorin apokaliptik këtu…

Lulzim Basha: Le të pyesim në sallë se kush ishte më mirë se vjet, se kush ka gjetur vende pune, se kush paguan taksa më pak, apo faturat më të ulëta. T’i pyesim dhe të shohim, jam i bindur se do thonë të vërtetën. Opozita nuk fërkon duart nga kjo situatë.

Sokol Balla: Ta mbyllim pak çështjen e dialogut me zotin Rama. ju thoni, vendimin e Gjykatës Kushtetuese, dekriminalizimin, reformën në drejtësi…

Lulzim Basha: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është parakusht…

Sokol Balla: Pra, nëse Suli dhe Leskaj nuk shkojnë në gjykatë nuk ka…

Lulzim Basha: Është një parakusht. Ne mund të diskutojmë për të gjitha reformat, por nuk mund të diskutojmë zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Sokol Balla: Atëherë zoti Suli dhe zonja Leskaj mbajnë peng reformën…

Lulzim Basha: Jo, kjo është interpretimi që ofron zoti Rama.

Sokol Balla: Ju te një paragraf tjetër flisni për reformën në drejtësi, zgjedhore dhe probleme të tjera, mes të cilave reformën kushtetuese. Është reforma në drejtësi, që është tek kilometri i fundit, dhe ju flisni për reformën kushtetuese. Kur e radhisni këtë thoni që të zhvillohen paralelisht, apo që të mbarrojë njëherë njëra dhe pastaj tjetra?

Lulzim Basha: Reforma në drejtësi është në vetëvete reformë kushtetuese. Çfarë provon aktualiteti politik, që ne jemi edhe në krizë kushtetuese, sepse Parlamenti refuzon të zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe jo për hiç gjë, por për akuza korrupsioni ndaj deputetëve. Nëse palët ulen në dialog nuk mund t’u shpjegohet qytetarëve se si në të nuk diskutohet kriza kushtetuese. Nëse nesër ne biem dakord për reformën në drejtësi dhe kjo mazhorancë i hedh në koshin e mbeturinave dhe refuzon t’i zbatojë… motivi ynë është të kemi një demokraci të re ku kontrollin ta kenë qytetarët, ku institucionet i zgjedhin qytetarët, që të kenë fuqi të plotë mbi ekzekutivin, legjislativin dhe gjyqësorin. Rishikimi kushtetues nuk mund të bëhet pa reformën në drejtësi, ato duhet të ecin paralelisht.

Sokol Balla: Dikush mund të thotë se ju kështu po vononi reformën… Ishin në Uashington, shpallët një marrëveshje, erdhët në Tiranë, palët u ulën, 90 për qind e çështjeve u zgjidhën dhe u tha që do të takoheshit këtë të martë. Por të hënën ndodhi çfarë ndodhi dhe tani thoni, të lëmë reformën në drejtësi dhe të bëjmë këtë. Le të bëhet reforma në drejtësi dhe më pas ajo kushtetuese.

Lulzim Basha: Nuk ka njeri të pranojë të ulet në tryezë me njeriun që ka vënë koburren në tavolinë…

Sokol Balla: Ai në tavolinë, ju në brez…

Lulzim Basha: Në brez e mban Armando Prenga.

Sokol Balla: Mos më thoni që dhe ju besoni se ishte këllëf…

Lulzim Basha: Unë të tregoj ujkun, ti thua ku janë gjurmët. Nuk i vë veshin fotoshopeve. Ne duam që refuzimi i zbatimit të Gjykatës Kushtetuese të mos ndodhë më. Kjo është pjesë e marrëveshjes së 24 dhjetorit, të cilën ai po e shkel. Rama nuk do ta bëjë një reformë të tillë sepse do të vazhdojë të shkelë Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Ç’kuptim ka të bëhen rregulla të reja loje kur ky nuk zbaton ato ekzistuese. Ne duhet të krijojmë garanci tek qytetarët që çdo ligj që miratohet zbatohet. Prandaj zbatimi i reformës në drejtësi dhe i ligjeve që do të miratojmë bën më të nevojshme se kurrë reformimin kushtetues.

Sokol Balla: Para reformës në drejtësi, zoti Basha?

Lulzim Basha: Bashkarisht. Duhet të ecin paralel.

(marre me shkurtime)

SHKARKO APP