Basha: Qeveria ka diskriminuar qytetarët e Kamzës dhe Paskuqanit

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, mori pjesë sot në mbylljen së fushatës elektorale në Bashkinë e Kamzës, ku kandidon nga radhët e PD-së për mandatin e tretë, kryebashkiaku Xhelal Mziu.

Basha deklaroi se qeveria i ka diskriminuar qytetarët e Kamzës dhe Paskuqanit, duke ua bërë atyre jetën e pamundur.

“Qeveria nuk sillet siç duhet të sillet me qytetarët e Kamzës dhe Paskuqanit. Kjo qeveri erdhi para dy vitesh me premtime të mëdha, por jeta e shqiptarëve sot është edhe më e vështirë. Qytetarët nuk paguajnë më pak taksa, nuk kanë më shumë vende pune dhe paguajnë më shumë energjinë elektrike. Ky është realiteti”, tha Basha, i cili shtoi se ndryshe nga mazhoranca, oferta e opozitës është ajo e taksave më të ulëta në Ballkan.

Më tej, Basha sulmoi edhe kandidatin e ASHE-së për Kamzën, Safet Gjicin. “Oligarkia nuk e merr mundimin të flasë për problemet tuaja. Ata njohin vetëm kërbaçin si drejtimin e duhur. Në Kamëz ju kanë sjellë një xhandar, ku të mos keni ku të qaheni. Ky është projekti i Rama-Metës me Safet Gjicin, por Kamza nuk do e lejojë përdhosjen dhe shkeljen e dinjitetit”, tha Basha.

Nga ana e tij, kandidati i djathtë për Bashkinë e Kamzës, Xhelal Mziu, tha se “Kamza në këto 8 vite ka ndryshuar shumë dhe janë rritur investimet. Edi Rama premtoi se do të hapte vende pune, por rriti papunësinë. Kamza dhe Paskuqani do ta mundin të keqen në 21 qershor”. 

SHKARKO APP